Protesta e nesërme nis në ora 10:00
Nesër në ora 10:00, do të bëjmë protestën e radhës për largimin e Qeverisë dhe kundër zgjedhjes së Presidentit.
I thërrasim të gjithë qytetarët e Kosovës që janë kundër politikave të kësaj qeverie, që janë kundër thellimit dhe vazhdimit të kapjes së shtetit, që nesër të na bashkohen në shesh të kundërshtimit dhe ta ngrisim së bashku zërin e protestës ashtu që ta pengojmë kapjen e shtetit në majën e tij, në Presidencë.
Më poshtë mund të gjeni pjesë nga deklarimet e sotme të tre liderëve të subjekteve opozitare:
Visar Ymeri: Personi që e ka nënshkruar marrëveshjen për Demarkacion, dhe ai që e ka nisur marrëveshjen për “Zajednicën”, po shpreson që nesër të kurorëzohet në President të Republikës së Kosovës. Ne jemi kundër kësaj, dhe insistojmë që Qeveria të largohet në mënyrë që Kosova të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe që institucionet e Kosovës të bëhen institucione me legjitimitet demokratik. Ky Kuvend dhe këto institucione qendrore, as nuk kanë legjitimitet demokratik, e as nuk kanë legalitet politik për të marrë çfarëdo vendimi, e aq më pak të zgjedhin President.
Fatmir Limaj: I ftoj të gjithë qytetarët që nesër në ora 10:00 të jenë në shesh bashkë me ne, për ta vazhduar kauzën tonë – largimin e këtij regjimi antikushtetues. Regjimet e tilla sikur ky, testojnë dhe provojnë popullin se sa është i qëndrueshëm. Nesër në sheshe të Prishtinës duhet të dëshmojmë se do të vazhdojmë të qëndrojmë deri në largimin e këtij regjimi.
Ramush Haradinaj: Ata kanë paralajmëruar konflikte fizike- janë rrena. Kanë paralajmëruar rreziqe – janë rrena. Kanë paralajmëruar festë – është rrenë. Ata kanë qëllimin që t’i pengojnë njerëzit të vijnë në protestë, sepse nëse nuk ka protestues shpresojnë se do të duken më legjitim në parlament. Kuorumi në parlament është degraduar, tash ka mbetur populli kuorumi i vetëm legjitim.
Dalja nga kriza, janë zgjedhjet. Çfarëdo tentimi për të vazhduar me logjikën e këtij regjimi, çon në thellim të krizës, për çka përgjegjësia bie mbi Mustafën dhe Thaçin.