26 02 2016

Protestat tona do të vazhdojnë.

Betejat dhe protestat tona do të vazhdojnë. Kundërshtimi i dy temave; formimit të “Zajednicës” dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi do të jetë edhe më i fortë. Kështu u tha në konferencën e Opozitës së bashkuar ku folën kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Ndërkaq, procesi i zgjedhjes së presidentit nën ushtrimin e një dhune të madhe, vetëm sa e ka thelluar edhe më shumë krizën në vend. Poashtu, e ka rritur edhe më shumë iritimin e qytetarëve ndaj Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Ky thellim i kapjes së shtetit nuk do të kalojë dhe qytetarët që e kundërshtojnë këtë klikë uzurpatore do të ngadhnjejnë.

Kuvendi i cili ka një kohë që funksionon si Kuvend jolegjitim ka marrë sot një vendim skandaloz që u shpreh përmes dhunës ndaj deputetevë të opozitës së bashkuar me ç’rast u përjashtuan në mënyrë të paligjshme 11 deputetë opozitarë. Kjo u bë arbitrarisht nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. E tëra u bë që Hashim Thaçi është të zgjidhet president. Ai është zgjedhur president pasi i ka nxjerrë zvarrë deputetët opozitarë. Zgjedhja e tij vjen, pas arrestimit të katër deputetëve të opozitës, Salih Salihu, Bali Muharremaj, Shqipe Pantina dhe Ismajl Kurteshi.
Hashim Thaçi është zgjedhur president vetëm pasi e ka mbushur Kuvendin me polici. Është dashur të rrihen deputetët opozitarë, të krijohet një parlament ku ka vetëm parti qeveritare, që ai të zgjidhet president. Ai do të jetë presidenti më përçarës i Kosovës. Për opozitën, Hashim Thaçi kurrë nuk ka për të qenë president legjitim.

Presidentin e Kosovës e zgjodhi bekimi nga Vuçiqi. Hashim Thaçi sot është president për shkak të pranimit të tij nga Lista Serbe, pra nga përkrahja e Qeverisë së Serbisë. Për të siguruar praninë e tyre, ai ka shitur sovranitetin e Kosovës. Hashim Thaçi është bërë president pasi ka blerë votat e atyre që nuk e votuan në raundin e parë. Ky është pretendenti për president, një njeri që i fiton votat me blerje, shantazhim apo joshje.

Hashim Thaçi është bërë president duke shtypur protestuesit. Ai ka urdhëruar policinë të heqë kampin me tenda që kishte marrë karakterin e një infrastructure kundër regjimit. Kjo u bë edhe pse ai kamp paqësor ishte në ato momente i banuar vetëm nga të moshuar paqësorë. Ai kamp kishte leje deri në datën 8 mars. Përveç kësaj, Hashim Thaçi ka përndjekur protestuesit nëpër rrugicat e Kodrës së Trimave. Ai i ka mbushur kulmet e banesave me snajperë, për të kërcënuar popullin e tij.

Zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhjet e lira demokratike që do ta kthenin legjitimitetin demokratik në këto institucione.

Kontribo