Protestuesit u sulmuan me vrushkuj uji nga cisterna
Në ditën e katërt të protestës para kompanisë “Pastrimi” përkrahja e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje po rritet. Kjo dëshmohet edhe me informacionin që ata sot i kanë dhënë protestuesve se uzurpatori Feim Salihu do të përpiqet të futet në ndërtesë.
Kësisoj, me një skenar të paramenduar, dy punëtorë filluan kinse pastrimin e oborrit të ndërmarrjes dhe hapësirës së vendit ku qëndronin protestuesit. Ata pa asnjë paralajmërim filluan të lagnin protestuesit me vrushkuj uji nga cisterna. Kjo shprehte qëllimin e qartë të tyre për provokimin e situatës dhe pengimin e protestës.
Duke qenë se Policia e Kosovës ishte e pranishme dhe nuk mori asnjë hap, protestuesit u detyruan që të mbrohen nga sulmi i paramenduar.
Gjatë këtyre ditëve të protestës, komunikimi i protestuesve me punëtorët e ndërmarrjes Pastrimi ka qenë i vazhdueshëm. Asnjë punëtor përgjatë këtyre katër ditëve nuk është penguar në punën e tij dhe ata kanë qarkulluar vazhdimisht me makinat përkatëse përpara protestuesve.
20 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!