Pusho i qetë Adem Mikullovci; artist, veprimtar e atdhedashës!
Mbrëmë, pas mesnate morëm lajmin e trishtë për ndarjen fizike të artistit të dashur, veprimtarit të çështjes kombëtare të orëve të rënda për vendin dhe deputetit përfaqësues në Kuvend, personifikim i njeriut punëtor, të dashur e të dinjitetshëm, Adem Mikullovci.
I angazhuar, i vendosur e në ballë të mbrojtjes të së drejtës për shtet e Republikë, Ademi do të ndodhej aty ku luhej fati i popullit dhe i Kosovës. I vetëdijshëm për momentin historik para të cilit gjendej Kosova, si delegat i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990 do të ishte bashkë me delegatët e tjerë që miratuan publikisht para Kuvendit të Kosovës deklaratën kushtetuese me të cilën Kosova shpallet njësi e pavarur dhe e barabartë si pararendëse e Republikës së parë të Kosovës.
Si artist, do të afirmonte lart artin shqiptar në skenë e në televizion, do të mbante gjallë shpirtin dhe frymën kulturore të shqiptarëve të Kosovës në kohët e rënda të viteve 90-ta të dëbuar nga teatri, nga televizioni e kinemaja.
Si pjesë e plejadës së aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës tash Teatrit Kombëtar i Kosovës, Adem Mikullovci ka pasur një karrierë me 45 role kryesore dhe 70 role në teatrore. Ai spikati në rolet më të dalluara në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” e të tjera. Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjës”(Çajupi), “Mosha e bardhë”(D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”(dramatizim i veprës së autorit Q.Sijariq), “Ti mos u përziej”, etj. Pas largimit nga institucionet kulturore si pjesë e fushatës së regjimit të Milosheviqit, ai vazhdoi kontributin e tij të çmuar artistik me produksione televizive.
Pas çlirimit, si për të vendosur gjërat në vendin e tyre, Ademi ju rikthye krijimtarisë artistike me vrull edhe më të lartë. Krahas krijimtarisë artistike ai nuk pushoi së qenuri deri në çastet e fundit të jetës së tij një qytetar i angazhuar për të mirën e përbashkët. Si deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e gjashtë, ai dha një kontribut të rëndësishëm.
Vdekja e Adem Mikullovcit është humbje e madhe jo vetëm për familjarët e miqtë, por edhe një humbje e pazëvendësueshme për komunitetin artistik, artin në përgjithësi dhe skenën ku vihej drejtësia përballë padrejtësisë, ndershmëria në vend të pandershmërisë, liria kundër okupimit dhe atdhedashuria përballë dorëzimit.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ju shprehë ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të Adem Mikullovcit, artistëve, të gjithë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të gjithë qytetarëve të Republikës. Vepra dhe shembulli i tij do të na mbajnë përgjithnjë pranë tij e në rrugën e tij, kurse atë përgjithmonë në mesin e zemrat tona.
Sot, një delegacion i prirë nga Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kryesisë, deputetët të grupit parlamentar dhe aktivistë të Lëvizjes bënë homazhe në Teatrit Kombëtar në nderim të figurës së tij.