07 04 2018

Qeveria e luksit në vendin e varfër

Ditë më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës nxori raportin e mirëqenies sociale ku thuhet se në Kosovë, edhe sipas shifrave zyrtare papunësia është rritur.  Mbi 17% e qytetarëve të Republikës së Kosovës kalojnë ditën me më pak se 2 euro në ditë.

Sipër qytetarëve të varfër kemi pushtetarët super të pasur me shpenzime e privilegje që në rrallë vende mund t’i hasim.

Qeveria e Kryeministrit Haradinaj vetëm për paga merr nga buxheti i varfër i Republikës 4 milionë 374 mijë euro. Në kohën kur në Kosovë rritet gjithnjë e më shumë varfëria, Kryeministri ia rriti vetës dhe kabinietit të tij pagën deri në 100%.

Mirëpo, kjo Qeveri nuk shquhet vetëm për paga të mëdha, por edhe për një kabinet qeveritar jashtëzakonisht të madh. Ajo numëron hiq më pak se 5 zv.kryeministra, 21 ministra, 82 zv.ministra e më shumë, 120 këshilltarë e mbi 400 asistentë, shoferë e trupëroje. Me shumë saktësi mund të themi se ky është kabineti më i madh në Evropë.

Sikur të mos u mjaftonin pagat, kabineti qeveritar është i zhytur në shpenzim enorme, për dreka e darka pavarësisht se shumë familje nuk arrijnë ta sigurojnë kafshatën e tyre për mbijetesë.

Një Qeveri me mendësi të tillë, me komoditetin e jetën luksoze, natyrshëm nuk mund të mendojë për qytetarin e varfër, të pastrehë, të papunë e pa asnjë perspektivë. Në vend të mirëqenies, kjo Qeveri, gjithnjë i gënjen qytetarët për liberalizim vizash pikërisht për të ikur nga mjerimi më të cilin përballen.

Kosovës, vendit tonë, i duhet një Qeveri që i minimalizon shpenzimet e veta për t’i shpërndarë ato para ne vend të duhur. Para fukosimit në shpenzime enorme për dreka e darka zyrtare na duhet fukosimi te sofrat e varfëra për të siguruar ushqimin e domosdoshëm e minimumin jetik. E kjo Qeveri nuk e ka këtë as synim, as vullnet e as nuk shqetsohet për këtë.

Kontribo