Qeveria e paligjshme dhe e dëmshme të shkarkohet, zgjedhjet e reja të mbahen
Sot, në ambientin e jashtëm të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi një konferencë për media ku foli nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci.
Nagavci e filloi fjalën me një rikujtim të kërkesave që ka bërë Lëvizja VETËVENDOSJE! për raportim të z. Hoti në parlament në lidhje me zotimet dhe koncesionet e tij ndaj Serbisë, dhe kërkesës për raportim në komisionet si ai i punëve të jashtme dhe diasporë; ekonomi, punësim, tregti, industri, ndërmarrësi dhe investime strategjike; të drejtat e njeriut dhe barazi gjiniore, dhe në komisionin për mbikëqyrje të financave publike.
Tutje, Nagavci theksoi se një kryeministër që ka mandat të kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, te qytetarët, e që nuk gëzon mbështetjen as brenda koalicionit të tij qeverisës, nuk mund të bëjë zotime e koncesione në emër të Republikës së Kosovës.
Ajo po ashtu kujtoi se qeveria e paligjshme Hoti pas heqjes dorë nga reciprociteti, e tani edhe nga aplikimi për anëtarësim të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, sa për t’i jap hapësirë bisedimeve, përbën shkelje të rëndë të kushtetutës.
“Kjo gjë nuk i lejohet asnjë individi, aq më pak këtij kryeministri pa legjitimitet. Madje kjo gjë nuk mund të bëhet as nga Kuvendi sepse nuk mund të hiqet dorë nga vetja, kjo është e barasvlershme me sovranitetin dhe vetë qenien e Republikës. Ky është pezullim i Republikës,” tha ajo.
“Kjo pikë e ujdisë Hoti-Vuciq prekë shumë dimensione të jetës, vetëm në fushën e arsimit kjo nënkupton se ne nuk do të aplikojmë në Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga ku buron vlefshmëria e diplomave të fëmijëve tanë.”
Duke sjellë në vëmendje deklarimet e Hotit në Kuvendin e Republikës që platformë e vetme në bisedime do të jetë Kushtetuta, dhe deklaratat tjera të tij kundër minishengenit dhe kundër dhënies së resurseve të Kosovës, nënkryetarja Nagavci kujtoi sërish se të gjitha këto i hodhi poshtë kryeministri i paligjshëm Hoti, i cili lëre se nuk përmendi njohje të Kosovës, por edhe emrin Republikë e hoqi nga dokumenti i nënshkruar në Uashington.
Nagavci u bëri thirrje partive opozitare dhe deputetëve brenda koalicionit qeverisës që janë të pakënaqur me avazin e dëmshëm e të rrezikshëm të kësaj qeverie të paligjshme në Uashington e Bruksel, që t’i japin nënshkrimet për mocionin e shkarkimit të saj.
“Ata mund të japin nënshkrimin për mocionin e mosbesimit ndaj kësaj qeverie. Nëse hezitojnë akoma ta nënshkruajnë atë, ata faktikisht as nuk mund të konsiderohen si opozitë e janë përgjegjës po aq sa Hoti dhe kjo qeveri”, tha ajo.
Nagavci tha se presim që të hënën të caktohet sa më parë seanca e radhës ku z. Hoti do të ballafaqohet me deklaratat e tij kundërthënëse, me veprimet që bien ndesh me zotimet që ka bërë para deputetëve jo më larg se në qershor e korrik të këtij viti.
“Kjo Qeveri duhet të shkojë e zgjedhje e reja dhe demokratike të organizohen sa më parë. Nuk mundet të sjellë marrëveshje a aranzhime të mira një Qeveri pa legjitimitet e me zyrtar që japin zotime që si mbajnë, e që gënjejnë në Kuvendin e Republikës së Kosovës,” theksoi ajo në fund.