15 03 2017

QYTETARËT E SHQIPËRISË E AS TË KOSOVËS NUK MUND TË QUHEN ASNJËHERË “MILICË TË SHESHELIT”

Po bëhen gati 24 orë që kur kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, i është drejtuar aktivistit nga Tirana, Arbër Zaimit, me gjuhën e urrejtjes dhe me etiketat më të rënda për një shqiptar. Pavarësisht se që prej asaj kohe ajo ka marrë kritika të shumta nga publiku, dhe shpresojmë që tashmë e ka kuptuar se cilësime të tilla nuk janë korrekte dhe as parimore, znj. Xharra ende nuk ka kërkuar falje për fyerjen ndaj z. Zaimi. Ajo e quajti z. Zaimi “milic i Sheshelit”, duke përdorur një prej fjalëve më të urryera për shqiptarë, “mërrsh” – fjalë e gjuhës serbe me të cilën paramilitarët serbë u janë hakërryer shqiptarëve.

Po ashtu, cilësimi i Shqipërisë si “kotec” shpreh diskriminim dhe është i papranueshëm për ligjërimin publik, duke tejkaluar çdo normë të lirisë së fjalës.

Ne e respektojmë lirinë e fjalës, por jemi të bindur që askush nuk mund të fyhet mbi bazën e prejardhjes vetëm për shkak se ka kritikuar, brenda çdo etike, qëndrime rreth një prej çështjeve më të diskutuara vitin e fundit në Kosovë.

Arbër Zaimi ka qenë për më shumë se një vit kolumnist i rregullt në të përditshmen “Zëri”, ku znj. Xharra ka qenë dhe vazhdon të jetë kryeredaktore, gjë e cila e bën dhe më absurd konstatimin e saj se mendimet e qytetarëve nga Shqipëria nuk vlejnë për publikun në Kosovë. Derisa, në anën tjetër, vetë Xharra në vazhdimësi komenton mbi zhvillimet në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe me gjerë rajonit tonë.

Tre prej aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë deportuar nga Kosova në Republikën e Shqipërisë, pas një linçimi dhe një fushatë kundër tyre nga disa prej udhëheqësve të mediave. Dy prej tyre, Dejona Mihali dhe Boiken Abazi ende nuk mund të vijnë në Kosovë meqë, shteti i Kosovës i ka përndjekur dhe dëbuar politikisht. Fushata kundër tyre ka pasur vetëm një arsye: origjinën e tyre nga Republika e Shqipërisë. Kjo është shfaqje e urrejtjes, përndjekje politike, dhe mungesë e përgjegjësisë publike.

Presim nga zonja Xharra që t’i kërkojë falje qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe të gjithë shqiptarëve, dhe në veçanti z. Zaimi. Gjithashtu, kërkojmë prej Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që të distancohen dhe të mos identifikohet me këtë gjuhë dhe këtë qëndrim të njërës prej pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Kontribo