Rahoveci i sakrificës dhe progresit pjesë e 500 mijë zemrave – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Rahovecit
Sonte në Rahovec o e kem konakun!
Të dashur qytetarë të Rahovecit, të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor, ju faleminderit për këtë mikëpritje kaq të zjarrtë, në këtë vend të zjarrit, të pushkës, të pendës së dijes, e të tokës së bukës. Në çdo fazë dhe etapë të zhvillimit e të ngritjes së kombit tonë, Rahoveci ka qenë gjithmonë në qendër, ka qenë në qendër me ide dhe ka qenë në qendër me sakrificë.
Mbi 150 ishin viktimat civile vetëm midis 17 dhe 20 korrikut 1998, ndërsa në betejën e Rahovecit ranë heroikisht komandanti Gëzim Salihamza, i njohur ndryshe me nofkën Piktori, dhe patriotët Abdullah Bugari, Mizahir Isma, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Arian Brahimi, Shkodrani i cili u kthye nga emigrimi dhe dha jetën në Kosovë, Agim Qela, Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Gani Paqarizi, Habib Berisha, Liman Gegaj dhe Ramadan Morina. Lavdi të gjithë atyre dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar.
E pas betejës së Rahovecit, u vranë në fshatin Opterushë komandantët Xhelal Hajda Toni, dhe Selajdin Mullabazi Mici, e në pyjet e Hamocit, Bekim Sylka, Mexhit Mustafa dhe Sadetin Hajda, si dhe Sheh Muhedin Shehu i vrarë në Teçen e Halvetive, po në korrik të vitit 1998.
Të nderuar të pranishëm, ne kurrë nuk i harrojmë se gjithsej 950 persona u vranë ose u zhdukën në Rahovec gjatë luftës, e në Krushë të Madhe kemi 64 të zhdukur, 241 të rënë, 22 dëshmorë dhe 7 fëmijë të vrarë. Masakra e Pastaselit ka 105 civilë të vrarë dhe dy dëshmorë, ndërsa në fshatin Celinë janë vrarë gjithsej 82 qytetarë, mes të cilëve 5 dëshmorë. Asnjëherë nuk harrojmë dhe kurrë nuk do ta falim gjakun e tyre.
Rahoveci ka lindur dhe ka rritur trima, si figura e pendës dhe e pushkës, profesor Sabajdin Ceno, kurse Krusha e Madhe ka lindur një veprimtar dhe politikan, një profesor dhe filozof që ia ka dhuruar jo vetëm Republikës së Kosovës, jo vetëm kombit shqiptar, por botës mbarë me thellësinë e mendimit të tij dhe me idetë brilante që na i ka lënë si vepra të shkruara, profesor Ukshin Hoti – Baca Ukë, të cilit i përkulemi me përplot nderim për trashëgiminë e tij, e cila rron në sjelljet, veprimet, mendimet dhe politikat tona.
Kur e mendon Rahovecin, secili prej nesh e mendon punën, patriotizmin, luftën, dëshmorët, martirët dhe heronjtë, por gjithashtu edhe kulturën dhe letërsinë, një plejadë të gjerë të poetëve nga Bejtegjinjtë që i përmendi Ali Dula, deri te poetët modernë, ku ai që e kemi shumë për zemër është ai i cili na u nda nga jeta para më pak se tre vitesh, Xhevdet Bajraj.
Xhevdet Bajraj ka një poezi që unë e kam shumë për qejfi për Rahovecin, me titull “Rrush dhe Djath”.
Po ua lexoj një varg: “Në dorë mbaj një copë bukë me ca djath dhe një kalavesh rrushi të Rahovecit, që ma përkujtojnë që ende mund të qaj nga bukuria.” Xhevdet Bajraj.
Të dashur qytetarë të Rahovecit, gjatë këtyre katër viteve në qeverisje, me gjithë çka kemi ditur e mundur, secili prej nesh ka punuar që shtetit t’i shtojmë sovranitetin, territorit t’i shtojmë integritetin, pasaportës dinjitetin, institucioneve stabilitetin, ekonomisë produktivitetin, e qytetarëve mirëqenien dhe respektin.
E tash na ndajnë më pak se 10 ditë, deri te 9 shkurti, por a e dini çfarë? Më 9 shkurt nuk ka zgjedhje të zakonshme, më 9 shkurt nuk ka as zgjedhje të jashtëzakonshme, më 9 shkurt ka referendum! Zgjedhje ka në vitin 2029, por më 9 shkurt ka referendum. Referendum për të vazhduar përpara me punët e mira dhe të mbara që i kemi nisur, ose për t’u kthyer prapa dhe për të rrënuar punët e mira e të mbara që i kemi nisur. I thoni po qeverisë tonë, i thoni po referendumit, dhe këto dy shkronja të arta për të mirën, “PO”, e kanë numrin 1-1-8 të dielën e 9 shkurtit.
Progresi i këtyre katër viteve është ndjerë cep më cep Republikës, edhe këtu në Rahovec. Po e mbështesim Rahovecin me afër 8 milionë euro për ndërtimin e rrugës me katër korsi Rahovec-Xërxë, me gati 5 milionë euro për tre vitet e ardhshme për ndërtimin e Stadiumit në Rahovec dhe me 2.5 milionë euro për ndërtimin e Qendrës kulturore multifunksionale në Rahovecin tuaj e tonë të dashur.
E në mandatin e ardhshëm, do ta përfundojmë rrugën Prizren-Tetovë, autostradën Prishtinë-Gjilan deri te Dheu i Bardhë, rrugën Dolc-Gjakovë, atë Kijevë-Zahaq dhe Duhël-Shtime-Banullë. Po ashtu, do të ndërtojmë edhe rrugën e Dukagjinit për ta lidhur Prizrenin-Rahovecin-Gjakovën-Deçanin me Pejën dhe Istogun.
Në Kramovik të Rahovecit do të ndërtohet parku solar me kapacitet 100 MW për gjenerimin e energjisë nga burimet e ripërtrishme, nga dielli. Ankandin e ka fituar konzorciumi Y nga Arllati, nga mërgata jonë, që quhet Arllati, me ofertën më të mirë e më të lirë, më pak se 49 euro për një MW në orë, dhe ku do të investohen 70 milionë euro për ndërtimin e parkut, që është edhe i pari në vendin tonë, dhe më i madhi. Ky park do ta shtojë gjenerimin e energjisë elektrike në vendin tonë, por njëkohësisht edhe do të hapë vende të reja pune për ju këtu.
Sigurisht që nuk ka vend më të mirë për të folur për bujqësinë sesa në Rahovec, në kryeqytetin e bujqësisë të Republikës së Kosovës. Në cep më cep të Kosovës, i kemi mbështetur me mbi 300 milionë euro, 120 mijë bujq e fermerë me grante e subvencione, por njëkohësisht këtu në Rahovec, i kemi edhe vreshtaritë e lashta, aq sa jemi edhe ne si popull të lashtë. E verarinë tonë, duke ju falënderuar vreshtave të Rahovecit, po e bëjmë gjithnjë e më të njohur edhe ndërkombëtarisht. E kemi dyfishuar mbështetjen për vreshtarët dhe sasinë e verës së dorëzuar, kurse për herë të parë, si qeveri, e kemi mbuluar plehërimin dhe naftën me 36 cent të euros për litër.
Ju në Rahovec, e bujqit gjithandej Kosovës, e dijnë mirë çka është sistemi pikë-pikë, sistemi i ujitjes pikë-pikë. Mirëpo, të mirat vijnë pikë-pikë nga toka, prej njerëzve punëtorë, ama ata të cilët nuk i kanë marrë të mirat nga toka ose përmes punës e pikë-pikë, ata që janë pasuruar në kurriz të popullit, do ta mësojnë çka është sistemi cent për cent.
Se këtu në Rahovec dhe bujqit gjithandej Kosovës, sistemi pikë-pikë, e ata milionë-milionë dikur nuk shkon. Ne vazhdojmë me pikë-pikë, por byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe prokuroria, dhe sistemi i ri i drejtësisë cent për cent do t’ia kthejnë popullit pasurinë e plaqkitur, të vjedhur, e të zhvatur ndër dy dekada.
E të dashur qytetarë, prej 120 mijë fermerëve e bujqve që i kemi mbështetur, 1/10 e tyre, 12,000 janë në Rahovec. Çdo i dhjeti bujk ose fermer që e kemi mbështetur është në Rahovec, me gjithsej mbi 26 milionë euro.
Po ashtu, këtu në Rahovec i kemi mbështetur 1,900 nëna lehona dhe gati 12,000 fëmijë kanë përfituar shtesa. Edhe nënat lehona, edhe shtesat për fëmijë, janë për herë të parë në Republikën e Kosovës, me qeverinë tonë të mirë, me qeverisjen tuaj demokratike, të cilën pikërisht ju e keni sjellë në pushtet me zgjedhjet e shkurtit 2021.Të dashur qytetarë, para neve nuk ka pasur qeveri për nëna lehona, e as kryeministër për fëmijë. Para neve, këta nuk kanë parë as nëna, as fëmijë në Republikën tonë. Me qeverinë tonë, në pikëvështrimin, në vëmendjen, në zemrën e qeverisë ndodhen edhe nënat, edhe fëmijët.
255 të rinj janë punësuar përmes platformës Super-Puna, mbi 6,100 pensionistë të Rahovecit e kanë marrë pensionin nga tetori i vitit të kaluar, me rritje 20%, dhe për 4 vjet e kanë marrë 5 herë pensionin e 13. Ndërkaq, i kemi mbështetur 142 familje me 3,800 euro mesatarisht secila, për t’i izoluar shtëpitë e tyre, në mënyrë që t’i kenë dimrit ngrohtë e verës freskët.
Po ashtu, i kemi renovuar për efiçiencë të energjisë 9 shkolla: shkollën fillore “Gëzim Hamza-Piktori” në Rahovec, “Isa Boletini” në Rahovec, “Bekim Sylka” në Rahovec, “Rilindja” në Cibllak, “Faik Konica” në Celinë, “Dëshmorët e Zatriqit” në Zatriq, “Hamzë Thaçi” në Xërxë, “12 Maji” në Ratkoc dhe shkollën “Skender Kastrati” në Gexhë. Ndërkaq, gjimnazin “Xhelal Hajda Toni” dhe shkollën “Hamzë Thaçi” dhe “12 Maji” i kemi lidhur me internet të shpejtë nëpërmjet rrjetit kosovar për edukim dhe hulumtim, KREN. Të gjitha së bashku këto investime janë mbi 1 milion euro.
Në infrastrukturën arsimore në Rahovec kemi bërë investime afër 4 milionë euro. Një çerdhe për 120 fëmijë tashmë e kemi ndërtuar dhe një tjetër për 60 fëmijë është në proces të ndërtimit dhe do të përfundojë sivjet. Së bashku, këto dy çerdhe kanë vlerën financiare 1 milion euro, por vlera e tyre për fëmijët, për gjeneratat e ardhshme, është e pamatë. Përveç çerdheve, me financim të qeverisjes qendrore është ndërtuar shkolla “Tre Dëshmorët” që gjendet ndërmjet dy fshatrave, Vrajak dhe Bratonit, ndërkaq një shkollë tjetër, shkolla në Pastasel, është në ndërtim e sipër dhe do të jetë e gatshme në vitin e ardhshëm 2026.
Të dashur qytetarë të Rahovecit, në mandatin e ardhshëm do të ndajmë 1 miliardë euro për ushtrinë, 1 miliardë euro për prodhimtarinë dhe mbi 1 miliardë euro investime kapitale në vit. Vetëm në Brezovicë do të investojmë gjysmë miliardi euro në partneritet publiko-privat, që ta bëjmë destinacion të turizmit kombëtar e ndërkombëtar.
Pagën minimale, që e kemi gjetur 130 euro dhe 170 euro, e kemi bërë 350 euro, dhe në mandatin që vjen do ta bëjmë së paku 500 euro. Do ta mbështesim punësimin e grave nëpërmjet programit të ri “Super-Puna për Gratë”, ku gratë që duan të punojnë do ta kenë si bonus pagën minimale për 6 muaj, dhe në këtë mënyrë të rritet fuqia punëtore, të forcohet gruaja shqiptare dhe pa dyshim që do të kujdesemi edhe për fëmijët e tyre, duke ndërtuar më shumë çerdhe, por edhe duke ia shtuar nga 100 euro shtesë pensionit të gjysheve dhe të gjyshërve që kujdesen për fëmijët e moshave prej 1-3 vjeç, atëherë kur të dy prindërit punojnë.
Për 4 vjet, 65 çerdhe i kemi ndërtuar, renovuar ose adaptuar, me gjithsej 36 milionë euro, e ata që shkuan e nuk kthehen në pushtet, ata ish- ish qeveritë për 17 vjet, vetëm 4 çerdhe me 1.2 milionë euro. Kjo tregon që për 17 vjet ata nuk kanë parë fëmijë në Kosovë përveç fëmijëve të tyre, nuk i kanë parë fëmijët e juaj. Ata nuk i kanë parë fëmijët e juaj, nuk i kanë parë nënat e Kosovës, ata i kanë parë vetëm gratë e veta dhe fëmijët e vet. Prandaj s’kemi pasur çerdhe, prandaj s’kemi pasur mbështetje për nënat lehona, prandaj s’kemi pasur shtesa për fëmijë, e me qeverinë tonë ka mbështetje edhe për nënat lehona, e do të ketë gjithnjë e më shumë çerdhe dhe gjithmonë mbështetje financiare në shtesa për fëmijët anë e mbanë, pa e dalluar askënd.
Dhe jo vetëm kaq, ne do t’i mbështesim edhe prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe jo publike, duke i përkrahur me bona. Pra, edhe prindërit që nuk kanë arritur t’i çojnë fëmijët në çerdhe publike, ndonëse këto 65 çerdhe do të shtohen në 25 komuna në të gjitha 7 rajonet e Kosovës, edhe nëse i çojnë në çerdhe jopublike, ne do t’i mbështesim prindërit, që në këtë mënyrë dora e mirë e shtetit të kujdeset për brezin aktual dhe brezin e ardhshëm, e gjeneratat e ardhshme në përgjithësi.
Të dashur qytetarë të Rahovecit, ne këtu i kemi 110 kandidatë në listën tonë me numër 1-1-8, 110 kandidatë! Dikur është dashur t’i rrumbullakësojmë 5, e keni pasur më të vështirë ku me u përcaktuar vetëm në 5, kur të pëlqejnë 50, mirëpo tash mundemi t’i rrumbullakësojmë 10 dhe e keni pak më kollaj, por jo shumë kollaj, sepse secila dhe secili janë më të mirë se tjetri. Po besoni, më të mirë se këta 110 nuk mundeni me gjet! Këta e kanë numrin 1-1-8, i keni të të gjitha profileve e profesioneve, të të gjitha vendbanimeve, të të dy gjinive e të të gjitha moshave. E këtu, nga Rahoveci, i kemi dy: profesor Bylbyl Sokolin dhe aktivisten Nora Fetoshi.
Të dashur qytetarë, neve na kanë kritikuar duke na sfiduar ose liri ose siguri, e ne kemi thënë: i kemi bërë të dyja, edhe liri edhe siguri. Neve na kanë kritikuar dhe sfiduar duke na thënë: jeni të detyruar të zgjedhni, ose rregullativë, ose investime. Ne e kemi thënë, e kemi bërë të dyja: edhe rregullativë, edhe investime. Na kanë kritikuar, sulmuar, dhe sfiduar duke na thënë: ose sovranitet shtetëror, ose partneritet ndërkombëtar, e ne e kemi thënë dhe kemi bërë të dyja: edhe sovranitet shtetëror, edhe partneritet ndërkombëtar. Na kanë kritikuar e sfiduar duke na thënë: zgjedhni e merrni, ose rritje ekonomike, ose të drejta të njeriut. E ne kemi thënë, sepse kemi bërë të dyja: edhe rritje ekonomike, edhe të drejta të njeriut.
E nëse këtu, ndojkujt i shkon mendja të na sfidojnë pas këtij tubimi në Rahovec e të na thonë: zgjedhni e merrni, ose Bylbyl ose Sokol, ne atyre ju themi: të dyja. Edhe Bylbyl, edhe Sokol, Bylbyl Sokoli.
Të dashur të pranishëm të këtij tubimi, ne do të ndërtojmë spital të ri në Mitrovicë dhe në Ferizaj, kurse këtu në Rahovec do ta ndërtojmë poliklinikën specialistike, një nga 6 poliklinikat që do t’i ndërtojmë në mandatin e ri. E ndërkohë, për buxhetin për listën e barnave esenciale që është tashmë në nivel rekord, afër 70 milionë euro, e kemi gjetur veç 24 milionë euro, do ta ngrisim në 100 milionë euro, duke rimbursuar qytetarët tanë në lartësinë prej mbi 80%. Si herë të parë, do ta kemi po ashtu edhe rimbursimin e barnave jashtë spitalore, mbështetje kjo shtesë për shpenzimet potenciale të qytetarëve.
Të dielën e 9 shkurtit, 2 numra janë të rëndësishëm si asgjë tjetër, si asnjëherë tjetër: numri 1-1-8 i koalicionit tonë Lëvizja VETËVENDOSJE!, Partia Guxo dhe Partia Alternativa. Pra, numri 1-1-8 që tashmë e kemi është numër në fletëvotim dhe numri tjetër është ai 500 mijë vota që do ta bëjmë, sepse do ta përbëjmë me 500 mijë zemra të cilët bëhen bashkë, jehojnë, kumbojnë e rrahin porsi një te numri 1-1-8, me datën 9 shkurt!
118, 118, 118, 118, 118…
E për këto 500 mijë vota, gjysmë milioni zemra të bashkuara, kryetar Ali Dula dhe deputetë të ardhshëm Bylbyl Sokoli dhe Nora Fetoshi, këtu në Rahovec prej 500 mijë votave, Cep më Cep të Kosovës, Cep më Cep Rahovecit i duam, na duhen 15 mijë vota.
Tash, kur kanë ngelur më pak se 10 ditë deri te zgjedhjet historike, që do të prodhojnë fitore të paparë, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në Kosovën e çliruar, është e domosdoshme që të punoni secila e secili, të gjithë. Kjo fushatë zgjedhore është pak si Ramazani, 10 ditët e fundit janë më të vështira, por pikërisht në 10 ditët e fundit duhet t’i jepni zor më shumë dhe mandej, pas muajit të Ramazanit vjen festa e Bajramit! E festa e Bajramit, para Bajramit e ka numrin 1-1-8, e ka emrin VETËVENDOSJE! dhe ju ka juve që votoni bashkë, fitoni bashkë e festoni bashkë!
Faleminderit shume! Faleminderit përzemërsisht! Ju dua fort dhe mirënjohje e pafund për mbështetjen e pa rezervë që na e keni dhënë edhe si Lëvizje, edhe si qeveri!
Natën e mirë e mirëupafshim!