07 10 2020

Raporti i BE-së bën dallimin substancial mes Qeverisë Kurti dhe qeverisë koti

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për media ku për procesin e integrimit evropian dhe raportin e fundit të BE-së për Kosovën, folën ish-zv. ministri i Ministrisë së Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu dhe deputetja Fitore Pacolli.

Taulant Kryeziu tha se Kosova mbetet vendi i fundit në ballkanin perëndimor sa i përket procesit të integrimit evorpian dhe po ashtu i fundit sa i përket zhvillimit sipas raportit të fundit të BE-së.

“Serbia ka hapur 18 kapituj drejt integrimit evropian dhe ka mbyllur 2, Mali i Zi 33 kapituj dhe ka mbyllur 3, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet që nga dhjetori të fillojnë takimet e para ndërqeveritare që shënojnë momentin e fillimit të negociatave, kurse Bosnja i ka 14 kritere për ta marrë statusin e vendit kandidat. Kosova në këtë mes qëndron edhe prapa Bosnjës, pra është vendi i fundit sa i përket rrugës drejtë BE-së.”

Rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian kryefjalë ka sundimin e ligjit. Ne jemi të kënaqur për gjuhën që ka përdorur raporti i BE-së sa i përket Qeverisë Kurti, tha Kryeziu, i cili e citoj një pjesë nga raporti:“Qeveria Kurti ka fokusuar programin e saj në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në zhvillimin ekonomik.

Qeveria Kurti ka anuluar vendimet kontraverse të Qeverisë Haradinaj si dhe ka shkarkuar bordet e ndërmarrjeve publike si rezultat i parregullsive dhe mungesës së transparencës sipas raporteve të auditorit.”

Ky raport, sipas Kryeziut, bënë një dallim substancial mes Qeverisë Kurti dhe qeverisë së paligjshme Hoti. Kur flet për qeverinë Kurti flet për zhvillim ekonomik, përkushtim në reforma evropiane, për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për çlirim të bordeve. Ndërsa kur i adresohet qeverisë së paligjshme Hoti kryesisht përfundon dhe fillon tek dialogu me Serbinë.

Duhet ta kuptojmë një gjë substanciale, procesi i integrimit evropian nuk është dialogu me Serbinë. Dialogu me Serbinë nuk është as prej kërkesave të para të qytetarëve të vendit. Procesi i integrimit për kryefjalë ka sundimin e ligjit. Vizat, procesi i integrimit varen nga kjo pra, se sa e kemi gjyqësorin të pavarur nga politika, tha Kryeziu, i cili kujtoi që raporti vit pas viti i thekson të njëjtat gjëra.

Kjo qeveri e paligjshme ka shuar Ministrinë e Integrimit Evropian dhe për 4 muaj nuk ka mbledhur asnjëherë strukturat e brendshme sa i përket integrimit evropian. Pra, asnjë takim të Këshillit Ministror, asnjë takim të Komitetit Punues dhe asnjë takim të Këshilleve Ekzekutive që merren me procesin e integrimeve. Mungesa e kësaj dinamike institucionale është reflektim i mungesës së vullnetit politik për procesin integrues, theksoi Kryeziu.

Deputetja Fitore Pacolli tha se zgjedhjet e fundit krijuan mundësinë që për herë të parë raporti i BE-së për Kosovën të kishte përmbajtje më të mirë, më pozitive e më shpresëdhënëse. Këtë bindje ajo e shprehu duke iu referuar raportit të BE-së, prej të cilit edhe citoi një pjesë që shënon arsyet e rrëzimit të Qeverisë Kurti:

“Qeveria jetëshkurtër, e udhëhequr nga Kryeminstri Kurti, kishte një program të përqendruar në luftimin e korrupsionit dhe krimit te organizuar dhe në zhvillim ekonomik.”

“Një program që e vuri në rrezik klubin e stërvjetëruar politik. Pra, kjo është arsyeja prapa gjithë makinerisë që u ngrit kundër Qeverisë Kurti. Një konstatim të tillë për cilëndo qeveri të pasluftës në Kosovë nuk mund ta gjeni në asnjë raport të progresit të Bashkimit Evropian e as në raportet tjera ndërkombëtare”, tha deputetja Pacolli.

Tutje, ajo theksoi se nëpër shumë pika raporti përsëritë fjalët e thëna në vitet e mëhershme.

“Raporti vë në pah mungesën e vullnetit politik për të përmirësuar situatën e rëndë politike, ekonomike e sociale në vend. Ai flet për progres të mangët e të limituar, për stagnim në reforma politike dhe ekonomike, për mungesën e përafrimit të kornizës ligjore me atë të BE-së dhe për mungesë të theksuar të zbatimit të kornizave ligjore të përafruara.”

“Njëjtë sikurse në vitet e kaluara Kosova nuk është shënuar ndonjë progres në zbatimin e reformës administratës publike dhe kjo si pasojë e mungesës së vullnetit politik dhe mungesës së koordinimit qendror dhe ndërministror. Praktika e rekrutimeve në kundërshtim me parimin e meritokracisë mbetet çështje shqetësuese.”

“Njëjtë sikurse në vitetet e kaluara, sistemi gjyqësor i Kosovës mbetet në një fazë të hershme. Gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndikimet politike me administratë të ngadalshme dhe jo-efikase. Kosova nuk ka mekanizëm për koordinim institucional dhe nuk ka një strategji gjithë përfshirëse për sektorin e sundimit të ligjit.”

Pacolli para se t’i përmend stagnimet gati në secilën fushë, theksoi se nuk ka progres në 34 fusha dhe nën-fusha që prekin mjedisin, sigurinë e ushqimit, krimin e organizuar, drejtësi, mbrojtjen e konsumatorit etj.

Për fund, ajo tha se gjendja në të cilën jemi sot na obligon ta marrim seriozisht dhe ta trajtojmë çdo ngecje të përmendur në raport.

Kontribo