19 12 2018

Raporti i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian – Lëvizja e lirë, ERA, MSA

Ditën e sotme, në ambientet e Kuvendit të Kosovës u mbajt tryeza e diskutimit me temë “Raporti i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian – Lëvizja e lirë, Reformat, MSA” e ftuar nga deputetët anëtarë të Komisionit parlamentar për integrime, dr. Fatmire Kollçaku nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Armend Zemaj nga LDK-ja. Pjesmarrës në tryezë ishin profesionistë të fushës, përfaqësuesit e instituteve dhe organizatave që mbulojnë këtë fushë dhe profesorë e studiues të çështjeve të integrimit dhe politikës së jashtme. Qëllimi i tryezës ishte mbledhja e kritikave, propozimeve dhe rekomandimeve mbi raportin e vendit tonë me BE-në në mënyrë që këto çështje të mund të ngrihen dhe të çohen më tutje në Kuvendin e Kosovës dhe në Komisionet përkatëse parlamentare.

Mosliberalizimi i vizave, ngecja e zbatimit të Agjendës Evropiane të reformave, mosshfrytëzimi për anvacim të mëtejmë i MSA-së europiane dhe dialogu problematik me Serbinë e bëjnë të domosdoshme organizimin e një debati të gjatë publik në fushën e integrimeve nga opozita bashkë me profesionistët e fushës dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Tryeza theksoi detyrën e opozitës për mbikqyrjen e ngecjeve të proceseve integruese, duke u kontribuuar pikërisht kështu proceseve përmes kritikës dhe rekomandimeve të saj. Në vazhdim të fjalëve u përmend fakti se Kosova cilësohet sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare si “shtet me elementët të shtetit të kapur”. Është pikërisht kapja e shtetit ajo që po e ngulfat dhe nuk po i lë të lëvizin politikat integruese të Kosovës.

Më tutje, të pranishmit treguan rrjedhën e proceseve të hapura nga BE-ja për Kosovën nga viti 2003 e këtej. Këtu u kritikua fakti se në vitin 2011 qeveria e Kosovës i dërgoi mesazhin e gabuar BE-së me hapjen e dialogut me Serbinë. Tashmë dialogu me Serbinë, edhe sipas strategjisë së fundit për zgjerim, është bërë kërkesa më e fortë ndaj Kosovës në raport me integrimin, edhe pse pa asnjë vizion dhe datë të qartë për përmbylljen e këtij procesi.

Sa i përket axhendës evropiane të reformave dhe strategjive të nënshkruara në kuadër të MSA-së, të pranishmit listuan ngecjet e këtyre reformave dhe moszbatimin e strategjive për të cilat janë zotuar nënshkruesit tanë.

Po ashtu, edhe mbi mosliberalizimin e vizave u argumentua se problemi kryesor duhet të shihet te lufta e munguar e korrupsionit. Plotësimi i kritereve për liberalizim do të duhej të ishte ndjekur nga zbatimi i tyre, çka nuk ka ndodhur. Asnjë akt final gjykimi nuk është dhënë nga gjykatat tona mbi ndonjë rast të korrupsionit në nivele të larta. Korrupsioni që e shqetëson BE-në në Kosovë nuk është ai i niveleve të ulëta, por ai institucional përmes zhvatjes së buxhetit të shtetit.

Ndryshe nga pushteti, i cili është fokusuar në kritikën vend e pavend ndaj BE-së, një plan dhe strategji për çkapjen e shtetit është detyra kryesore e opozitës për t’u hartuar në bashkëpunim me deputetë, profesionistë, profesorë dhe organizata të shoqërisë civile. Ky plan do të duhej të hartohej me vizionin se integrimet ndërkombëtare nuk duhet të jenë më shumë qëllime në vetvete sesa efekte të zhvillimit të brendshëm dhe se nuk mundet të ketë integrime ndërkombëtare pa integritet të brendshëm politik dhe institucional.

Në vazhdim të diskutimit u kritikuan edhe komisionet parlamentare për mungesë të përgatitjes së duhur, mungesë të memories institucionale dhe mungesë të mbikqyrjes në lartësinë e detyrës të punëve të qeverisë dhe të proceseve integruese.

Në përfundim, nga tryeza u nxorrën disa konkluzione për t’u patur parasysh nga deputetët e opozitës deri në organizimin e tryezës së radhës:

1. Ngecja në reforma dhe moskryerja e obligimeve për të cilat institucionet e Kosovës janë zotuar para organizmave të BE-së;

2. Miratimi i ligjeve dhe plotësimi i kritereve nuk është pasuar nga zbatimi i tyre dhe legjislacioni vijon të pësojë ndryshim – plotësime të njëpasnjëshme që në vitin e parë ose të dytë të miratimit;

3. Mungesa e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit;

4. BE duhet ta marrë në konsideratë qasjen pro BE-së nga qytetarët e Kosovës;

5. Kuvendi nuk ka qenë në lartësinë e përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve në raport me mekanizmat e BE-së dhe mbikëqyrjen e kritereve të pranuara nga të dy palët;

6. Opozita duhet të udhëheqë Komisionin Parlamentar për Integrime;

7. Komisioni për Integrime duhet të kryejë shumë më shumë monitorim e mbikëqyrje se deri më tani.

Kontribo