20 03 2019

Reagim mbi qëndrimin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

Në konferencë për media, më 18 shkurt paraqitëm qëndrimet tona në raport me pozitat e shumëfishta të zyrtarëve të lartë publikë, ndër të tjera edhe për pozitat e shumfishta të Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi.

Një ditë më pas zyra e Kryeprokurorit reagoi duke iu bërë mbulesë punësimit të shumëfishtë të z. Lumezi.

Së pari, kushdo në Kosovë pret nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njoftime për veprimet konkrete në luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit e jo justifikime për 7 pozitat e Kryeprokurorit.

Së dyti, është absurde të besosh që një kryeprokruror i cili mban 7 pozicione, të jetë efikas në kryerjen e detyrave primare të kryeprokurorit të shtetit.

Së treti Kryeprokurori ka konflikt të interesit sipas ligjeve në fuqi për pozitat e shumëfishta drejtuese që aktualisht i mban.

Së katërti Kryeprokurori duhet të jetë shembulli kryesor për të gjithë prokurorët e tjerë se si respektohet etika, ligji dhe misioni i prokurorit e jo të shfrytëzojë çdo justifikim procedurial për përfitim vetjak.

Së pesti, Kryeprokrurori dhe prokurorët duhet të jenë në nivelin e detyrës dhe gjatë orarit zyrtar ta kenë prioritet punën e tyre, në mënyrë të papenguar.

Po meqë Kryeprokurori është larg të qenit shembull i mirë, i rikujtojmë atij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë se sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit neni 13 par. 2 theksohet se:

2. Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.

Kryeprokurori Lumezi mban këto pozita:

1. Kryeprokuror i Shtetit,

2. Anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës,

3. Anëtar i bordit të Akademisë policore në Kosovë,

4. Kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës,

5. Kryetar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë,

6. Kryetar i Komisionit për mbrojtjen e dëshmitarëve

7. Anëtar i bordit drejtues të Njësisë së Intelegjencës Financiare.

Si dhe sipas po të njëjtit nen, zyrtari nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.

Nëse Kryeprokurori po paguhet për të gjitha këto pozita – në dijeni tonë po ndodh – sipas kodit penal të Republikës së Kosovës është duke konsumuar veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe atë të konfliktit të interesit.

Kontribo