14 10 2014

Ruajtja e vlerave në Kalanë e Prizrenit

Kalaja e Prizrenit vlerësohet si një monument me vlera të jashtëzakonshme arkeologjike, arkitektonike dhe historike në Kosovë dhe rajon. E vendosur mbi një kodër në qendrën historike të Prizrenit, ajo paraqet një peizazh kulturor që simbolizon qytetin dhe një elementë me rëndësi të identitetit tonë.
Kalaja e Prizrenit gjendet në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, e kategorizuar si Nënkategori: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat.

Gërmimet arkeologjike zhvillohen në Kala prej pesë vitesh dhe po vijojnë edhe këtë vit. Krahas gërmimeve arkeologjike janë vërejtur edhe rindërtime të pjesshme të mureve të Kalasë. Aktiviteti ndërtimor i fundit që u zhvillua gjatë kësaj vere ishte ndërtimi i një ndërtese në formë të katër dhomave.
Këto ndërtimet po bëhen në kundërshtim me aktet ligjore dhe parimet e udhëzuara në Konventat Ndërkombëtare për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike.

Duke u bazuar në aktet ligjore që rregullojnë aktivitetet e lejuara në lokalitete arkeologjike në Kosovë, rezervatet arkeologjike paraqesin hapësira me rëndësi të jashtëzakonshme të cilat duhet të ruhen për gjeneratat e ardhshme. Ky ligj ndalon veprimtaritë që shkaktojnë dëmtime apo degradim të vlerave shkencore të rezervateve. Gjithashtu ky ligj obligon që të gjeturat e bëra nga gërmimet arkeologjike të prezantohen për publikun nëpërmjet publikimeve dhe ekspozitave të ndryshme, gjatë vitit kur janë kryer gërmimet.

Bazuar në Konventën Evropiane për ruajtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (Konventa e Valetës, 1992), intervenimet hulumtuese dhe konservuese në lokalitete arkeologjike duhet të bëhen me një kujdes maksimal duke përdorur metoda jo-destruktive për të ruajtur autenticitetin e shtresave të ndryshme që paraqiten në lokalitet.

Aktivitetet hulumtuese në Kalanë e Prizrenit për pesë vite me radhe asnjëherë nuk i janë prezantuar publikut për të pasqyruar gjetjet shkencore që janë bërë në këtë lokalitet me rëndësi të jashtëzakonshme.

Ndërtimet e fundit degradojnë vlerat e Kalasë së Prizrenit në disa aspekte:
– Dëmtim i gjurmëve dhe dëshmive arkeologjike: ndërtimi i objektit është bërë mbi gjurmët e mureve të vjetra të Kalasë;
– Degradim i tërësisë vizuale të Kalasë: objekti i ndërtuar cenon pamjen vizuale të Kalasë së Prizrenit duke dalë në pah si një strukturë e huaj.

Në Kalanë e Prizrenit mungojnë dispozitat themelore për mbrojtjen e vlerave të saj, hyrja në Kala nuk është e kontrolluar duke e rrezikuar edhe integritetin e ruajtjen e shtresave arkeologjike të gjurmuara.
Rindërtimet e fundit vetëm se e rrisin rrezikun e degradimit të mëtejmë të vlerave, duke inkurajuar trendin e ndërtimeve në një lokalitet arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme.

Veprime të tilla ad hoc pa e pasur pasqyrën e plotë të një plani menaxhues për Kalanë e Prizrenit, i cili në terma afatgjatë do të përcaktojë nevojat dhe aktivitetet që do të zhvillohen në Kala, vetëm se do të degradojnë më tej vlerat e mbetura të këtij monumenti me rëndësi të jashtëzakonshme.

Kalaja e Prizrenit së bashku me kodrën ku është e vendosur dhe hapësirën e saj rrethuese duhet të trajtohen me kujdesin më të madh nga ana e profesionistëve të specializuar në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ky monument duhet të mbrohet me vendosmërinë më të madhe si një burim jo i ripërtërishëm dhe i pazëvendësueshëm. Rrjedhimisht çdo trajtim dhe çdo intervenim duhet të bazohet në strategji të ndërhyrjes minimale dhe mbrojtjes maksimale, duke i respektuar Kartat ndërkombëtare për Mbrojtje të trashëgimisë arkeologjike dhe arkitektonike.

Duke u bazuar në këtë gjendje alarmante për ruajtjen e autenticitetit të Kalasë së Prizrenit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kërkon nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të:
1. Ndalojë aktivitetet ndërtuese në Kala;
2. Të prezantojë planin e objekteve dhe destinimin e tyre para publikut;
3. Të organizojë një debat publik me profesionistë të fushës së trashëgimisë dhe qytetarë për të prezantuar dhe diskutuar gjetjet e bëra deri më sot dhe planet afatgjate lidhur me masat për ruajtjen dhe zhvillimin e Kalasë së Prizrenit.

14 tetor 2014
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Prizren.
Nënkomiteti për Urbanizëm, Planifikim dhe Trashëgimi Kulturore

Kontribo