09 03 2020

Sekretariati i Gruas Aktiviste po vazhdon takimet e tubimet me gra në të gjitha komunat e Kosovës.

Në këto takime po flasim për problemet dhe sfidat me të cilat përballen gratë, për mundësitë e reja institucionale për t’iu kundërvënë rendit patriarkal në shoqëri, por mbi të gjitha për angazhimin e grave në kuptimin e solidaritetit dhe organizimit prej poshtë.

Shteti ka detyrim të krijoj e zbatoj politika të cilat u sigurojnë grave më shumë qëndrueshmëri ekonomike, dinjitet në punë, në shkollë, familje e shoqëri, por ky detyrim nuk garanton ndryshim substancial pa angazhimin e gruas punëtore në shtëpi, nxënëses në shkollë, studentes në Universitet, punëtores në hipermarket.

Organizimi e artikulimi i kërkesave tona nga poshtë është rruga më e sigurtë ku gjinia rresht së qeni kategori mbi të cilën sendërtohet shtypja e shfrytëzimi. Nuk mund të kemi rehati përderisa gratë nuk marrin pjesë në tregun e punës për shkak të punëve të pambarimta në shtëpi. Organizimi në çdo fshat e qytet, takimet dhe diskutimet me gra e vajza për t’i artikuluar si kërkesat ashtu edhe veprimet tona është domosdoshmëri për përmbysjen e rendit patriarkal.

Sekretariati i Gruas Aktiviste do të vazhdojë me organizime të tilla, që në të kaluarën prodhuan veprime konkrete dhe mundësuan shtyrjen e shumë çështjeve të rëndësishme në Alternativën qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

 

Kontribo