08 03 2018

SËRISH VJEN MARSI – ÇDO DITË ËSHTË 8 MARSI

Aktivistet dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 8 mars në ditën ndërkombëtare të gruas, kanë zhvilluar një aksion simbolik duke shkruar tri parulla afër godinës së Qeverisë së Kosovës. Në mure u shkruan këto parulla.

SËRISH VJEN MARSI
ÇDO DITË ËSHTË 8 MARSI

BURRAT NËN HIJE,
LOZIN, KUVENDOJNË,
PIKA QË S’U BIE,
SE NGA GRATË RROJNË!

PAVARËSIA NUK MJAFTON
BUKË DHE TRËNDAFILA

Pas shkrimit të këtyre tri parullave aktivistja Albana Gashi u prononcua për media. Më poshtë fjalimi i saj:

Të jesh grua në Kosovë është barrë e rëndë. Të jesh grua e varfër në Kosovë është rraskapitëse.

Sfera private nuk do të duhej të përbente alibi për ta legjitimuar shdërrimin e njeriut në objekt.
Sfera private ku funksionon familja nuk e bën pronë private njeriun, pra as gruan. Askush s’ka të drejta më shumë mbi asnjë grua, perveç vetes së saj.
Mbyllja brenda shtëpise sot nuk është vetëm si burim i një shoqerie që nuk po shpëton dot nga e kaluara e saj por edhe një problem themelor i modelit ekonomik e institucional që i është imponuar Kosoves dhe që mirëmbahet nga konjuktura e pushtetit.

Privatizimi i ndërrmarrjeve të prodhimit dhe korrupsioni që buron prej këtij procesi si dhe kapje e shtetit i kanë pakësuar me së shumti vendet e punës për gratë.

Modeli neoliberal ku gjithcka shitet tepër lirë dhe shpejt ka reduktuar ne minimum pjesëmarrjen e gruas në jetën e punës dhe angazhimit ekonomik.

Ne sot, në Ditën ndërkombëtare të Gruas e shohim ashtu siç edhe ka nisur. Kjo ditë i takon grave punëtore. Tek ne gratë e punësuara janë pak. Sipas një raporti të publikuar së fundi janë vetëm 12 për qind të punësuara. Këtu natyrisht që flitet për diskriminim të madh, por kjo është edhe varfëri. Kjo vjen si pasokë e sistemit patriarkal por edhe për shkak të modelit ekonomik neoliberal.

Papunësia në Kosovë është e lartë. Por fakti që papunësia është e lartë nuk do të thotë se gratë po rrijnë si në pushim. Jo, ato i mbulojnë shumicën e punëve në shtëpi dhe organizimin e jetës. Ta organizosh jetën derisa të mungojnë mjetet e jetesës është punë e rëndë. E në Kosovë mungojnë sepse Kosova është e zhytur thellë në varfëri.

8 Marsi pra, për ne është dita e gruas së varfër, e gruas rome, e gruas së privuar nga arsimi, e lypëses, e të papunës, e të abuzuarës, asaj që shfrytëzohet, asaj që paragjykohet. 8 Marsi është i të gjitha atyre grave të përjashtuara nga të gjitha të drejtat e garantuara.
Prandaj jemi këtu të themi që ligji nuk mjaton, pavarësia nuk mjafton, përfaqësimi nuk mjafton, na duhet pjesëmarrja dhe pjesëmarrje e madhe. Na duhet barazi. Na duhet drejtësi.

Ligji na i garanton të drejtat, me ligj mbrohemi prej dhunës por gjendja nuk po ndryshon.
Vetëm 12% e grave në moshe pune janë të punësuara.

Vetëm 12% e pronave janë në pronësi të grave.

As 10% e bizneseve nuk udhëhiqen nga gratë.

Vetëm 3% e kredive të bizneseve u jepen grave.

40% e grave të punësuara janë në sektorin e shëndetësisë e arsimit ku janë pagat më të ulëta.

Mbi 40% e grave përjetojnë dhunë në familje.

Vetëm 19% të të gjithë përfituesve të subvencioneve janë gra.

74% e njerëzve në Kosovë besojnë se gratë i kanë fajet për ngacmimet seksuale.

64.1% e grave në Kosovë kanë përjetuar ngacmim seksual.

1200 raste të dhunës në familje janë raportuar në 2017.

5 gra janë vrarë që nga viti 2016 nga dhuna e ushtruar në familje.

Këto shifra na bëjnë të lëvizim. Të çohemi për veten, për njëra – tjetrën dhe për një jetë më të mirë për gjithsecilin.

Kontribo