SHKOLLIMI PROFESIONAL – MUNDËSITË QË NUK PO SHFRYTËZOHEN
Në ambientet e Kuvendit, Komiteti për Arsim dhe Shkencë mbajti sot tryezën e tretë të ciklit të tryezave profesisionale.
Temat kryesore lidheshin me arsimin professional dhe orientimin në karrierë, problematikat dhe propozimet për avancimi e këtij sektori arsimor.
Parashtrimin kryesor të temës e mbajti drejtori i EdGuard Institute, Rinor Qehaja, përfaqësuesit e institucioneve të arsimit, profesinistët dhe përfaqësues të donatorëve të kësaj fushe shpalosën sugjerimet, analizën por edhe në një masë të madhe kritikën për shkollimin profesional dhe këshillimin në karrierë.
Ky sektor i arsimit vuan nga numri i vogël i shkollave, cilësia e tyre e dobët, mungesa e koordinimit dhe e politikave për punën e tyre dhe mbështetja e vogël shtetërore.
Ka një rritje të nxënësve që zgjedhin shkollimin profesional, por ky shkollim nuk është në lartësinë e ëndrrave të tyre. Vërehen mungesa të investimeve në infrastrukturën shkollore, përqendrimi i buxhetit kryesisht vetëm për paga dhe po ashtu një masë e madhe e mësimdhënësve të papërgatitur sa duhet për të dhënë mësim.
Për sa i përket procesit të decentralizimit, për një shtet të vogël që nuk mban përgjegjësi dhe nuk jep mbështetjen e domosdoshme institucionale, decentralizimi është i pamundur.
Po ashtu, ndërlidhja e shkollimit profesional me tregun e punës është tepër e dobët për t’u konsideruar ndërlidhje. Investimet në shkolla profesionale kanë ardhur kryesisht vetëm nga donatorë të huaj pa politika qeveritare orientuese. Nga ana tjetër, tregu ende nuk ka kapacitete që shumë profile profesionale të mundet t’i përbrendësojë me vende pune. Tregu në Kosovë njihet për biznese jo stabël, që e vështirësojnë planifikimin e ndërlidhjes me arsimin. Megjithatë, edhe bizneset nga ana e tyre, të pavetëdijësuar mjaftueshëm për rëndësinë e arsimit profesional, ankohen për profile jo stabile nga shkollat.
Ne jemi të angazhuar për të përgatitur politika për shkollimin profesional të cilat e zgjerojnë fokusin për këtë sektor, i specifikojnë kompetencat e institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e tij, përqendrohen në garantimin e standardeve dhe jo mbylljen e shkollave, apelojnë biznesin me praktika dhe trajnime që të ndihmojnë në zhvillimin e këtij arsimi dhe ngrenë qendra për këshillimin e rinisë tonë. Politikat tona të arsimit profesional i mendojmë si pjesë të një bote me profesione fleksibël dhe punëtorë polivalentë.