24 12 2018

Skandalet e vitit 2018 në Institucionet e Sigurisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë fundviti për media mbi ngjarjet dhe skandalet në fushën e sigurisë për vitin 2018. Në konferencë deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Rexhep Selimi renditi dështimet e institucioneve të sigurisë përgjatë vitit.

Kryeskandali i vitit ishtë deportimi i 6 shtetasve turq në mënyrë tërësisht jo ligjore, aspak kushtetuese dhe tepër jo profesionale.

Ndërkohë, AKI-ja është prej institucioneve më të dëmtuarve në imazh dhe në funksion. Në krye të tij u vendos një person i cili do të duhej shkarkuar nga puna e tij në drejtimin e policisë për shkak të skandaleve të shumta aty në vend se t’i besohej drejtimit i një tjetër institucioni të rëndësishëm. Po ashtu, përgjatë vitit një punonjës i AKI-së është vrarë brenda ambienteve të institucionit, ngjarje kjo për të cilën do të duhej të kishte informacion si për çdo vepër tjetër penale.

Inspektoriari i Policisë së Kosovës është i dëmtuar i radhës, ngjashëm me AKI-në, përmes vendosjes partiake dhe arbitrare në krye të tij të një personi i cili është kapur në shkelje të ligjit gjatë rekrutimit të oficerëve për këtë institucion.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka dështuar të ofrojë siguri, sidomos në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje dhe njëjtë ka dështuar të ofrojë siguri më të madhe edhe në trafik.

Nga ana e saj, Qeveria ka dështuar të ofrojë dy ligje të rëndësishme për sigurinë në vend: draft-ligjin ngelur pezull ndër vite për pensionimin e parakohshëm në polici dhe plotësim-ndryshimin për ligjin për shpëtim dhe zjarrfikje, i cili do të ofronte siguri më të madhe në komunitet dhe i cili do të merrej drejtpërdrejt me gjendjen e rëndë të zjarrfikësve. Zjarrfikësit nga ana e tyre nuk kanë lënë gur pa lëvizur për plotësimin e kërkesave duke bërë thirrje, peticione dhe protesta.

Përsa i përket 3 ligjeve për FSK-në, deputeti Selimi përmendi mbështetjen e Lëvizjes për to me votë dhe me amendamentet e shumta prej saj. Po ashtu, deputeti Selimi nuk la pa përmendur edhe faktin se, “sukses mbetet kalimi i ligjeve për FSK-në, por do të mbetet vetëm ligj në letër nëse nuk do të mbështetet edhe në aspektin buxhetor dhe financiar, gjë që nuk ka ndodhur me projektligjin të cilin po e procedojnë në Kuvendin e Kosovës. Në projektligjin për buxhetin, FSK-ja trajtohet njëjti sikur më herët, përafërsisht me të njëjtin buxhet dhe me të njëjtën dinamikë financiare. Nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës trajtohen në atë formë, atëherë do ta kemi shumë të pamundshme realizimin e objektivave që parasheh ndryshimi i tre ligjeve që kanë të bëjnë me FSK-në”.

Skandalet nuk janë aksidentale në këtë qeveri, por norma e saj e përditshme. Ndryshimi i shpeshtë i ministrave të punëve të brendshme e kanë bërë të pamundur kërkimin e përgjegjësisë dhe etikën profesionale dhe kanë stimuluar keqmenaxhimin e institucionit. Kjo qeveri dështimet dhe sabotimet e punëve të institucioneve i shpërblen me ngritje në detyrë. Prandaj duhet ta rrëzojmë për të filluar rrëzimin e një hierarkie të dhunshme dështimesh.

Kontribo