24 11 2020

Sondazhi e nxjerrë Shpejtim Bulliqin fitues në Podujevë!

Përmes një konference për media të mbajtur sot, nënkryetari Besnik Bislimi i shpalosi rezultatet e një sondazhi të mbajtur nga data 12 nëntor deri me datë 15 nëntor, 2020, që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Podujevë. Sondazhi me marzhë të gabimit +- 5%, ku 1/3 e të anketuarve janë nga zona e qytetit, dhe 2/3 nga zonat rurale, duke marrë për bazë edhe strukturën gjinore të votuesve, e nxjerrë si fitues Shpejtim Bulliqin me 46.8%. Ky sondazh i bërë para intensifikimit të fushatës tregon që numri i pjesëmarrësve në votim do të jetë më i lartë se më herët, tregon një përkrahje të lartë të rinisë për kandidatin Bulliqi dhe një lëvizje të votuesve sidomos nga LDK-ja drejt VETËVENDOSJE!-s.

Nënkryetari Besnik Bislimi i prezantoi të dhënat e më poshtme që janë në interes të publikut, por pa hyrë në detajet që janë për përpunim të brendshëm.

Pyetja e parë ka të bëjë me atë se si e perceptojnë qytetarët kandidatin e Podujevës, ku të anketuarit kanë mundur të zgjedhin prej 1 deri në 5 dhe e kemi këtë rezultat: Shpejtim Bulliqi del të jetë kandidati më i preferuar i qytetarëve të Podujevës apo votuesve ku ata e kanë votuar me 3.5 që është jashtëzakonisht notë e mirë për një kandidat, kurse kandidati i dytë ikën bukur shumë poshtë kandidatit Bulliqi.

Pyetja tjetër ka të bëjë me gatishmërinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk di të kem parë ndonjë sondazh ku vendosmëria e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje është kaq e madhe sa në zgjedhjet e 29 nëntorit. 88.8% janë të sigurte që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe 8.8% që ndoshta do të votojnë, kurse numri i atyre që nuk do të dalin është shumë i vogël apo nën 3%. Kjo tregon se qytetarët e Podujevës e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është votimi i ditës së diel dhe sa e rëndësishme është vota e secilit prej për rezultatin final, tha Bislimi.

Nëse e marrim vetëm votën e deklaruar dhe i largojmë ata që kanë deklaruar që nuk do të votojnë, bashkë me ata që nuk e kanë deklaruar votën, atëherë shpërndarja e rezultateve të anketës është si vijon: 46.8% të votave do të shkonin për profesorin Shpejtim Bulliqi kundrejt 42% për kandidatin e LDK-së dhe në fund është kandidati i PDK-së me 11.2%.

Këto janë rezultate të datës 15 nëntor, ne besojmë që situata është dukshëm më e mirë, falë angazhimit maksimal të kandidatit Bulliqi dhe të Kryesisë e Grupit Parlamentar, tha Bislmi, i cili edhe theksoi se kjo mes tjerash tregon që edhe brenda marzhës së gabimit është shumë e mundur që zgjedhja e kryetarit të Podujevës të përfundojë të dielën, do të thotë nuk do të ketë nevojë për balotazh. Ky është edhe mesazhi kryesorë që ne po ua përcjellim edhe votuesve, që me pak angazhim gjithçka të përfundojë me 28 nëntor, në mënyrë që mos t’i mundojmë qytetarët me balotazh e as arkën e shtetit me shpenzime shtesë, tha ai.

Një detaj tjetër që Bislimi e ndau ka të bëj me mbështetjen e madhe që kandidati Shpejtim Bulliqi ka te moshat e reja. Tek mosha nën 24 vjeç, 54.1% e votuesve deklarojnë se do ta votojnë Shpejtim Bulliqin kundrejt 37.8%. Po ta marrim pastaj këtë e ta shikojmë me përqindje relative i bie që tek të rinjtë nën 24 vjeç ka 43% më shumë përkrahje sesa kandidati i LDK-së. Njësoj është gjendja edhe tek moshat 25-34 vjeç ku Shpejtim Bulliqi ka mbi 50% të votave, me 51.5%. Kjo tregon që nëse themi se e ardhmja i takon rinisë atëherë rinia tashmë ka vendosë se si dëshiron të qeveriset në të ardhmen. Ndërkaq rezultati është pak a shumë i njëjtë si për gjininë mashkullore ashtu edhe për femërore, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.

Informacioni tjetër është për lëvizjet e mëdha që kanë ndodhur te votuesit në Podujevë. Mendoj që Podujeva nga viti 2000 nuk ka pasur zhvendosje më të madhe të votuesit sesa tani. Sipas këtij sondazhi shumica e elektoratit është duke u zhvendosur në drejtim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sidomos i madh është zhvendosja e votuesve nga LDK-ja, tha Bislimi. Kandidati i LDK-së e ka vetëm 70% të përkrahjes që e kishte kandidati paraprak i LDK-së në vitin 2017. Pjesa më e madhe e atyre që kanë ikur nga LDK-ja, apo mbi 80% kanë shkuar drejt Lëvizjes VETËVENDOSJE! Do të thotë 80% e elektoratit që e ka votuar LDK-në në vitin 2017 dhe ka vendosur që mos ta votoj më, ka shkuar te Lëvizja VETËVENDOSJE! Ngjashëm është situata edhe me subjektet tjera politike. E shihni p.sh., 21% e votuesve që kanë votuar PDK-në në vitin 2017, tani do ta votojnë LDK-në, 100% të AAK-së do ta votojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe e njëjta vlen për Fjalën edhe NISMA-n, ku më shumë se gjysma e tyre kanë deklaruar se do ta votojnë Shpejtim Bulliqin.

Ndërkaq është interesant të shihet që nga votuesit që kanë deklaruar se do ta votojnë VETËVENDOSJE!-n në vitin 2017, po thuajse të gjithë kanë qëndruar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që do të thotë e kanë vlerësuar konsistencën, qëndrimet e përfaqësuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në fund, nënkryetari Bislimi shprehu bindjen që situata do ta marr një epilog me datë 29 nëntor, për arsye se rezultati është brenda marzhës së gabimit dhe për shkak se janë rezultate para intensifikimit të fushatës. Përmes pyetjeve del se edhe nëse do të kishte balotazh mes dy kandidatëve, prapë do të fitonte Shpejtim Bulliqi. Nëse e marrim vetëm votën e deklaruar që është 93.9% atëherë del që 52.8% do të votonin për Shpejtim Bulliqin, e ne mendojmë se në balotazh kjo do të ishte më shumë se 55% në rast se ka nevojë të shkohet në balotazh, tha Bislimi.

Kontribo