05 09 2015

Sot, më 5 shtator, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tribunën e saj të katërt në kundërshtim të “Zajednicës”.

Në sallën e mbushur plot, fjalën hapëse kishte Emrush Xhemaili, Koordinator i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, i cili foli për dëmet e “Zajednicës” dhe për gatishmërinë e këtij qyteti për organizimin e aktiviteteve për pamundësimin e zbatimit të “Zajednicës” që është “kreaturë para-shtetërore brenda shoqërisë sonë.”

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu u shpreh sesi “Zajednica” kur përkthehet në përditshmëri do prek jetën e secilit pa përjashtim. Ai mori shembull Prishtinën për të shpjeguar si Isa Mustafa as si Kryetar e as si Kryeministër për 16 vite me radhë nuk miratoi ligjin për Prishtinë, ndërsa kompetenca ekzekutive “Zajednicës” ia dha për një ditë.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca foli për qasjen ekspansioniste të Serbisë ndaj Kosovës, dhe se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte përmbushje e një kërkese shekullore të këtij shteti. Konjufca mbylli fjalimin e tij duke thënë : “Ose qeveria ta anulojë këtë marrëveshje, ose populli do ta anulojë këtë Qeveri”.

Ndërsa Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri tregoi se krijimi i “Zajednicës” është mbivendosje ndaj shtetit të Kosovës dhe se populli la vendosur që ai nuk është për “Zajednicë”, rrjedhimisht duhet t’u themi jo atyre pak personave në pushtet që po e përkrahin këtë të keqe.

“Që Isa Mustafa të jetë tamam Kryeministër, duhet të insistojë për mbrojtjen e pronave tona publike ashtu siç me shumë me zell po e mbron pronën e tij private”, tha Ymeri.

5 shtator 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo