03 04 2019

Sqarim për opinionin publik: Në lidhje me lajmin e pavërtetë dhe tendencioz, të publikuar në portalin Indeksonline

Në lajmin me titull “Vetëvendosje po kritikon, por familjarët edhe vetë po i rehaton” janë disa lloje të ndryshme të pavërtetash. Disa nga të paraqiturit në këtë lajm janë të punësuar para se Lëvizja të ekzistojë, disa janë para se personat e tyre të afërm të jenë bërë persona publikë e disa janë të angazhuar përbrenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! pa patur kurrë lidhje me punësimet publike.

Së pari, Glauk Tahiri ka qenë asistent i Kryetarit në kohën e Visar Ymerit, e tash nuk është asistent i Albin Kurtit, por edhe po të ishte ky është angazhim përbrenda subjektit politik, e jo në administratë shtetërore, pra nuk është punësim në shtet.

Ndërkohë vëllai i Albin Kurtit, Taulant Kurti, ka studiuar në Fakultetin Ekonomik dhe punon në KEK nga viti 2007, tre vjet para se Lëvizja të merrte pjesë në zgjedhje dhe kur Lëvizja ishte në kohën më të vështirë sa i përket persekutimit dhe dhunës policore.

Në anën tjetër, gruaja e Glauk Konjufcës, Emira Konjufca, prej vitit 2012 ka përmbushur kushtet dhe kriteret për të qenë asistente, dhe për më tepër ajo punon si asistente e një ligjeruesi që është baba i drejtuesit të Grupit Parlamentar të PDK-së, dhe për korrektësi duhet ta pyetni atë se pse është pranuar ajo në Universitet të Prishtinës dhe a ka pasur ndikim miqësor apo familjar dikush.

Gruaja e Hysen Durmishit, Mirjeta Bajrami punon në Komunën e Prishtinës nga viti 2009, pra nga koha kur as nuk janë njohur mes vete, madje shumë kohë përpara së Lëvizja të hynte në zgjedhje lokale, kur Komuna drejtohej nga Isa Mustafa.

Po ashtu edhe gruaja e Xhelal Sveçlës, Merita Barani, që ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, ka punuar prej 15 vitesh në Shtëpi të Shëndetit deri para një viti, pra edhe para se të ekzistonte Lëvizja VETËVENDOSJE!.

E burri i Albulena Haxhiut, Alban Krasniqi nuk është i punësuar në asnjë ndërrmarrje e administratë publike dhe aktualisht është asambleist në Kuvendin Komunal në Malishevë. Ai është aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ka punuar më përpara në pozicione të ndryshme në administratën e Lëvizjes ku ka qenë prezent para se të angazhohej në Lëvizje znj. Haxhiu.

Vëllai i Albulena Haxhiut, Oti Haxhiu, punon në PTK që nga viti 2010 para se Albulena Haxhiu të angazhohej në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe para se të ishte figurë publike.

Ndërsa, Suliote Aliu ka diplomuar për Farmaci në vitin 2006 dhe tani është specialiste e Farmacisë Klinike. Ajo ka punuar më parë si farmaciste në disa subjekte private, si dhe ka një përvojë të punës si specialiste në Agjensinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Prej vitit 2017 ajo punon si specialiste në QKUK, institucion që varet nga Ministria e Shëndetësisë, pra nga qeveria e Kosovës.

I bëjmë thirrje gazetarëve që të hulumtojnë në vërtetësinë e këtyre të dhënave.

Shpifjet dhe të pavërtetat që i shërbejnë relativizimit të korrupsionit dhe të punësimeve nepotike e partiake, vetëm sa e justifikojnë korrupsionin dhe nepotizmin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë ta kritikojë e kundërshtojë kapjen e shtetit, korrupsionin e nepotizmin, me çdo kusht. Ka ardhur koha të ndalet hajnia! Ka ardhur koha për punë e ndershmëri!

 

Kontribo