Takim lamtumirës me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Ruairi O’Connell
Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, kryesuesi i Grupit Parlamentar, z. Glauk Konjufca, dhe dy deputetet e Kuvendit të Republikës se Kosovës, znj. Saranda Bogujevci dhe znj. Fitore Pacolli, pritën në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Ruairi O’Connell, dhe Sekretarin Politik, z. Samuel Paice. Zyrtarët e Lëvizjes e falënderuan Ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin gjatë misionit të tij në Kosovë dhe për qasjen e sinqertë që kishte në relacion me institucionet e vendit tonë. Gjatë këtyre viteve, Ambasadori O’Connell gjithashtu dha një kontribut drejt avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në takim, Kryetari Kurti e theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të parakohshme që pritet të shpallën së shpejti, dhe, domosdoshmërinë e ardhjes së një qeverie të re, e cila në theks ka luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e sidomos përmirësimin e cilësisë së arsimit e shëndetësisë.
Populli ynë përherë është falënderues ndaj mbështetjes së pa rezervë të Mbretërisë së Bashkuar, si një prej aleatëve kryesor dhe një prej shteteve më të fuqishme në Evropë. Shteti ynë duhet të punojë në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e z. O’Connell. E, kjo arrihet me një qeveri e cila nuk ka të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i dëshiron dhe uron Ambasadorit O’Connell suksese në angazhimet e tij të radhës.