16 01 2020

Takim lamtumirës me Drejtorin rezident të NDI-së, në Kosovë, z. Alexander Chavarria

Sot, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me deputetët Hekuran Murati, Arbëreshë Kryeziu dhe Drejtuesen e Sekretariatit për Gruan Aktiviste, Nazlie Bala, priti në takim lamtumirës Drejtorin rezident të NDI-së, në Kosovë, z. Alexander Chavarria, i cili ishte i shoqëruar nga Drejtori i Programit te NDI-së, z. Valon Kurhasani, Menaxherja e Lartë e Programit në NDI, znj. Pranvera Lipovica dhe Menaxheri i Programit, z. Pajtim Gashi.

Z. Chavarria shprehu falënderimin e tij për Lëvizjen VETËVENDOSJE! që përherë i është përgjigjur pozitivisht kërkesave dhe ftesave të NDI-së për bashkëpunim në fusha të ndryshme dhe trajnime, ku në veçanti përmendi pjesëmarrjen në Javën e Gruas që e organizon NDI. Ai konfirmoi që kjo organizatë do të vazhdoj mbështetjen dhe përkrahjen në lidhje me funksionimin sa më efikas të institucioneve të vendit, ku mes tjerash tha se pret që Kuvendi i Kosovës ta filloj punën sa më parë ngase e sheh këtë organ shtetëror si çelës kryesor për funksionimin e shtetit.

Kryetari Kurti e falënderoi z. Chavarria për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve duke i dëshiruar punë të mbarë në angazhimet e tjera të tij. Ai u zotua se bashkëpunimi i deritanishëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me NDI do të vazhdoj e do të thellohet tutje për programe e trajnime të tjera në të ardhmen që ndihmojnë dhe avancojnë shtetndërtimin demokratik në vend. Kryetari Kurti po ashtu shprehu bindjen se funksionimi normal i institucioneve të vendit e në veçanti Kuvendit është kyç për jetën shoqërore dhe politike në vend, duke e njoftuar njëherit z. Chavarria që Lëvizja VETËVENDOSJE! në vazhdimësi po punon për ta krijuar qeverinë e re të cilën po e presin qytetarët e Republikës.

Në fund të këtij takimi lamtumirës, z. Chavarria tha se e merr përsipër ta njoftoj Kryetarin Kurti me Drejtorin e ri të NDI, dhe ritheksoi se NDI do t’i ketë përherë zyrat e hapura për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Kryetari Kurti e falënderoi për punën dhe angazhimin e bërë dhe tha se bashkëpunimi do të jetë i dyanshëm.

Kontribo