07 10 2020

Takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, József Bencze

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Rexhep Selimi, bashkë me deputetët, Fitore Pacolli, Hekuran Murati, dhe asistenten e Grupit Parlamentar, Valëza Mjeku, mirëpritën ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, József Bencze, të shoqëruar nga sekretari i dytë i Ambasadës hungareze në Kosovë, Nikowitz-Holló Márton dhe atashenë për Ekonomi dhe Tregti, Krisztina Szabó.

Selimi e falënderoi për vizitën dhe për mbështetjen e pa rezervë e të vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Kosovës. Ai nënvizoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! do të përkrahë marrëveshjet ndërkombëtare me shtetin e Hungarisë, derisa shtoi se është tejet e rëndësishme që Hungaria të japë ndihmën e saj në përkrahje të ushtrisë dhe policisë së Kosovës me qëllim ngritjen e kapaciteteve të tyre. Ambasadori hungarez, Bencze, shprehu mirënjohje për mirëpritjen. Ai i njoftoi anëtarët e Grupit tonë Parlametar për projektet që do të financohen përmes marrëveshjes financiare mes Hungarisë dhe Kosovës për shkëmbimin e ekspertizës. Tutje, ai shtoi se nga viti i ardhshëm Hungaria do të ndajë 75 bursa studimi për studentët nga Kosova. Hungaria e ka përkrahur dhe do të vazhdojë ta përkrahë shtetin e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave, dhe është e interesuar të thellojë bashkëpunimin biletaral, përfundoi ambasadori Bencze.

Në anë tjetër, deputetja Pacolli vuri theksin te rëndësia e thellimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e zhvillimit, edukimit, dhe diplomacisë sidomos atë kulturore dhe mes qyteteve. Ndërsa deputeti Murati, tha se rritja e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë në fushën e zhvillimit ekonomik do t’i përgjigjej nevojave të të dy vendeve derisa ritheksoi se në funksion të kësaj procedurat e aplikimit për viza për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të lehtësohen.

Kontribo