01 10 2019

Takim me deputetin e Bundestagut gjerman nga rradhët e SPD-së, z. Stefan Schwartze

Sot, kryetari Kurti, bashkë me kandidatet për deputete Arbërie Nagavci e Mevlyde Hyseni, dhe aktivistin Edison Jakurti, takuan deputetin e Bundestagut gjerman nga rradhët e SPD-së, z. Stefan Schwartze. Takimi u mbajt në një frymë shumë bashkëpunuese duke qenë se z. Schwartze po qëndron në Kosovë në mbështetje të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet e 6 tetorit.

Kryetari Kurti foli për tubimet e takimet e shumta që po zhvillohen çdo ditë anë e mbanë vendit. Entuziazmi që po vërehet gjithandej është rezultat i mobilizimit të brendshëm dhe vullnetit të jashtëm për ndryshim. Përveç theksimit të disa masave që do t’i ndërmarrim si qeveri për zbutjen e varfërisë e zvogëlimin e pabarazisë gjinore, kryetari Kurti foli edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes qeverisë Kurti dhe asaj gjermane. Një fushë me potencial u theksua të jetë ajo e shkollave profesionale si urë lidhëse mes arsimit dhe ekonomisë. Gjithashtu, u diskutua për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në fushën e riciklimit si metodë për ruajtjen e ambientit, meqë Gjermania ka shumë përvojë e Kosova nuk qëndron mirë në këtë drejtim.

Z. Shwartze foli për rëndësinë e takimeve të vazhdueshme me qytetarë si mundësia më e mirë për t’i njohur e adresuar brengat e tyre. Ai e vlerësoi lartë mërgatën shqiptare në Gjermani duke e konsideruar atë si burim të pazëvendësueshëm për zhvillimin e Kosovës. Poashtu theksoi se është mbështetës i fuqishëm i sistemit dual të arsimit dhe se kjo do t’mund të ishte një fushë kyçe e bashkëpunimit mes qeverisë gjermane dhe qeverisë Kurti. Përveç arsimit, ideja për fillimin e bashkëpunimit për ndërtimin e një sistemi riciklimi në Kosovë u vlerësua si projekt shumë i rëndësishëm e i realizueshëm.

Takimi u përmbyll duke u koordinuar për tubmin që do të mbahet sonte në Gjilan, ku do të marrë pjesë edhe z. Schwartze si mysafir i veçantë.

Kontribo