25 05 2021

Takim me Deputetin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z. Cédric Wermuth

Deputetin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, njëherazi Bashkë-Presidentin e Partisë Socialdemokrate zvicerane, z. Cédric Wermuth, e mirëpritëm sot në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në këtë takim miqësorë, ku prezentë nga ana jonë ishin anëtarët e kryesisë, Arbër Zaimi dhe deputetja Tinka Kurti, përfaqësuesi ynë në KQZ, njëherit njohësi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Zvicër, Sami Kurteshi dhe Koordinatorja e Sekretariateve në Lëvizje, Albana Gashi, u fol për zgjedhjet e fundit, mandatin e fuqishëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, barazinë sociale e gjinore, diasporën, si dhe prioritetet tjera të qeverisjes tonë.

Z. Wermuth na uroi për fitoren në zgjedhje dhe për fushatën e mirë zgjedhore që arriti t’i adresojë me sukses kërkesat e votuesve në vend duke ia siguruar kështu një mandat kaq të fuqishëm Lëvizjes VETËVENDOSJE! Me theks te përgjegjësia e rëndësishme që kemi marrë për ta qeverisur vendin, ai tha se realizimi i programit të Lëvizjes që brenda vetes përmban çështje progresiste si barazinë sociale e gjinore, punësimin e drejtësinë, e ndër të tjera edhe aktivizimin e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik e shoqërorë në vend, i përgjigjet më së miri votës plebishitare të 14 shkurtit.

Në fund, duke e falënderuar për urimin, vizitën dhe interesimin e shprehur për qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s, me z. Wermuth ndamë bindjen e njëjtë që me qeverisjen e re në Kosovë vetëm sa do të shtohet dhe thellohet bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve tona.

Kontribo