Takim me kryetaret e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, bashkë me Kryetaren e Organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, nënkryetaren e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, koordinatoren e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Agnesa Kastrati, dhe disa deputete/ë morën pjesë në takimin e parë me drejtueset e reja të Grave për VETËVENDOSJE! nga qendrat e Lëvizjes VEËVENDOSJE!.
Në aspektin e qeverisjes, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shtyrë përpara një sërë politikash që afektojnë gratë në veçanti. Mbështetja për lehonat, shtesat për fëmijë, bursat për vajza, ndihma juridike falas për viktimat e dhunës, buxhet për strehimoret, çerdhet etj. Këto nuk janë të mjaftueshme dhe ka nevojë për ndërhyrje në krijimin e vendeve të punës dhe për zvogëlimin e hendekut gjinor në punësim por si qeverisje kemi mbështetur punësimin e grave duke subvencionuar pagën e tyre deri në 50% dhe jemi duke adresuar problemin e jo-aktivitetit të grave në tregun e punës.
Jemi të të vetëdijshëm që asnjë politikë e vetme nuk e rregullon problemin e krijuar përgjatë historisë, e cila ka bazë strukturore, por jemi duke bërë çmos si në aspektin e qeverisjes, ashtu edhe në atë organizativ që ta adresojmë pabarazinë.
Organizata Gratë për VETËVENDOSJE! do ta bëjë kryeprioritet çështjen gjinore brenda organizatës e në shoqëri duke i shndërruar zyret e LVV-së në hapësira për mendim feminist dhe angazhim në politika feministe. Një organizim i grave nga poshtë, në lagje, në fshat, në qytet dhe në komunitet që artikulon kërkesat e grave dhe i mobilizon ato rreth tyre, do ta shtyjë edhe qeverisjen që të punojë më shumë.
GVV-ja nuk është forum klasik siç i kanë partitë tjera pasi ne besojë që ajo do të kishte kundërefekt. GVV-ja është paramenduar mbi themelin e solidaritetit dhe si hapësirë ku mbizotëron solidariteti dhe gjithëpërfshirja. Solidaritetit mes grave përmes takimeve intensive dhe komunikimit të vazhdueshëm në frymë të “motërzimit”. Dhe gjithëpërfshirja, organizimi i gjerë i grave, në kuptimin që një organizatë feministe progresive ka brenda saj të gjitha grupet e grave. Gra të të gjitha shtresave klasore, gra të të gjitha rajoneve, gra të pakicave kombëtare, gra me orientime seksuale të ndryshme, e gra me profesione të ndryshme. Pabarazia është e shumanshme, prandaj na duhet gjithëpërfshirja. GVV do të jetë organizim nga skajet drejt qendrës.