Takim me Kryetarin e Lëvizjes BESA, z. Bilall Kasami
Dje, Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, së bashku me deputetët Albulena Haxhiu dhe Liburn Aliu pritën në takim Kryetarin e Lëvizjes BESA, z. Bilall Kasami, i cili ishte i shoqëruar nga Nënkryetari i këtij subjekti, njëkohësisht deputeti, z. Fadil Zendeli, deputetja znj. Teuta Bilalli dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Arjanit Hoxha.
Z. Kasami ia uroi Kryetarit Kurti fitoren në zgjedhjet e fundit duke shprehë bindjen që ky vullnet për ndryshim ka dhënë sinjale pozitive në rajon e sidomos te shqiptarët në Maqedoni të Veriut. Ai shprehu dëshirën që qeveria e re të formohet sa më parë dhe kryeministri i ri ta ketë një sy më aktiv për problemet dhe hallet e shqiptarëve në Maqedoni.
Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe i njoftoi ata për prioritetet e qeverisë së re që lidhen me zhvillimin ekonomik që krijon vende të reja pune, politikat që zbusin varfërinë dhe pabarazinë në shoqëri si dhe sjellin drejtësinë në vend. Kurti po ashtu foli edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe domosdoshmërinë që atyre përveç se t’iu respektohen të drejtat dhe liritë t’iu zgjerohen edhe mundësitë drejt progresit dhe mirëqenies.
Në fund, palët u dakorduam ta shtojnë komunikimin.