Takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë
Sot pasdite delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në krye me kryetarin Albin Kurti pati një drekë pune me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë, z. Mustafa Şentop i cili theksoi se përcjell situatën politike në Kosovë si dhe qëndrimet dhe punën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Z. Şentop shtoi se paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe rajon janë shumë e rëndësishme, duke shtuar se Turqia ashtu siç ishte shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës do të vazhdojë të përkrahë Kosovën edhe më tutje në arenën ndërkombëtare. Z. Şentop theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve duhet të thellohen më tutje por rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet takimeve të këtilla mes deputetëve të parlamenteve tona.
Ndërsa, kryetari Kurti falenderoi Turqinë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj shtetit të Kosovës: ndihmën humanitare për popullsinë, pjesëmarrjen ushtarake në misionin e NATO-s dhe projektet zhvillimore në ekonominë në Kosovë. Ai potencoi se ka shumë hapësirë që të bëhet më tepër sidomos në zhvillim industrial dhe në avancimin profesional të të rinjve. Kosova ka nevojë në ndërtimin e urave ndërmjet shkollimit profesional dhe ekonomisë prodhuese dhe këtu Turqia mund të luajë një rol të rëndësishëm.