29 10 2019

Takim me kryetarin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, në Shqipëri, z. Shpëtim Idrizi

Dje, në ambientet e zyres së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari z. Albin Kurti, së bashku me anëtarët e kryesisë së Lëvizjes, znj. Albulena Haxhiu dhe z. Liburn Aliu, priti në takim kryetarin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, në Shqipëri, z. Shpëtim Idrizi të shoqëruar me përfaqësuesit e kësaj partie, znj. Mesila Doda dhe z. Alket Veliu.

Z. Shpëtim Idrizi uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për organizimin e fushatës që arriti t’i adresojë me sukses brengat e qytetarëve të Republikës. Ai po ashtu përshëndeti daljen e madhe të qytetarëve në këto zgjedhje gjë që tregon bindjen e qytetarëve se politika është vendi ku arrihen ndryshimet e rëndësishme shoqërore.

Z. Kurti foli për marrëdhëniet e reja në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në kuptimin që 50 marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve nuk do të mbeten në letër, por do të zbatohen sa më parë. Ne do të angazhohemi që në të ardhmen të kemi komisione të përbashkëta qeveritare sa i përket politikës së jashtme, burimeve natyrore dhe mbrojtjes e sigurisë. E, po ashtu, edhe një regjistër të përbashkët të bizneseve e për një regjistër të përbashkët civil, për sistem unik doganor, për një sistem të integruar elektro-energjetik dhe për një treg të përbashkët.

Fitorja e Lëvizjes i jep kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe këtë po e ndjejnë shqiptarët kudo që janë.

Kontribo