19 11 2019

Takim me një delegacion nga Shoqata e Muhaxhirëve të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Asllan Qyqalla

Sot, Kryetari Kurti, së bashku me anëtaren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, znj. Tropikë Agaj, priti në takim një delegacion nga Shoqata e Muhaxhirëve të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Asllan Qyqalla, nënkryetarja znj. Esma Bunjaku dhe Sekretari z. Orhan Ramadani.

Z. Qyqalla e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe i dëshiroi sukses në qeverisjen e vendit. Tutje, në këtë takim miqësor ai na njoftoi për punën e shoqatës së Muhaxhirëve që po mbledhë fakte për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në fund të viteve të ’70-ta të shekullit XIX. Për terrorin, masakrat dhe spastrimin e 712 fshatrave shqiptare nga rrethi i Nishit, Prokupljes, Leskovcit dhe Vranjës deri në Kurshumli, me synimin për ta paditë Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg për gjenocid dhe kompensim të pronave.

Kryetari Kurti i falënderoi për urimin, dhe i përgëzoi për punën që po e bëjnë. Mbledhja e fakteve dhe paraqitja e tyre nëpër instanca shkencore të instituteve e konferencave ndërkombëtare, por edhe në instanca të drejtësisë ndërkombëtare është diçka që duhet mbështetur.

Në këtë drejtim, u dakorduam të bashkëpunojmë në të ardhmen, në mënyrë që të krijojmë mundësi për sensibilizimin e opinionit mbi Muhaxhirët, si dhe t’i shtojmë nismat institucionale si për ruajtjen e fakteve historike të grumbulluara, ashtu edhe për paraqitjen e tyre të mëtejme.

Kontribo