Takim me një grup studentësh bashkë me profesorët e tyre nga Universiteti i Yorkut
Sot, anëtarët e Kryesisë, znj. Fitore Pacolli dhe z. Kreshnik Ahmeti dhe aktivistja, znj. Arta Berisha mirëpritën në takim një grup studentësh bashkë me profesorët e tyre nga Universiteti i Yorkut, Departamenti i Politikës në kuadër të vizitës së tyre studimore në Kosovë.
Ata ishin të interesuar që të kuptojnë më gjerësisht historikun e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qëndrimet e saj për çështje të ndryshme socio-ekonomike. Ata u njoftuan për etapat e zhvillimit dhe angazhimit të Lëvizjes, konceptin e saj politik dhe ndikimit që kishte në popull, duke prezantuar punën që është bërë nëpërmjet aktivizmit në tubime e protesta dhe punës në Kuvend. Veçanërisht u diskutua për aktivizmin politik në Kosovë të viteve të 90-ta dhe të pas luftës dhe mbi çështjet specifike, si integrimi i të gjitha komuniteteve në shoqërinë dhe institucionet e vendit. U shpjegua domosdoshmëria e angazhimit politik të qytetarit si bazë për të sjellë ndryshimin e kërkuar.
Ata po ashtu u njoftuan për situatën e tanishme politike, për prioritetet e qeverisjes së ardhshme që kalojnë nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë deri te zhvillimi ekonomik që sjell punësim e mirëqenie për ata që kanë më së shumti nevojë. Studentët u inkurajuan të zhvillojnë punë kërkimore mbi këto tema në Kosovë pa u ndalur vetëm te Lëvizja VETËVENDOSJE!, drejt paraqitjes së një shembulli të mirë për transformimin e shoqërisë drejt të mirës së përgjithshme.