14 09 2020

Takim me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkan, z. Arne Sannes Bjørnstad

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, ish ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, dhe asistentja ekzekutive e kryetarit, znj. Valë Gjonbalaj, sot gjatë ditës pritën në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkan, z. Arne Sannes Bjørnstad, dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, z. Jens Erik Grøndahl.

Biseda përgjatë takimit përfshiu shumë tema. U diskutua mbi situatën tejet të rënduar me COVID-19 nga qershori e sëkëndejmi, dhe rrezikun e përkeqësimit me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit. Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është shprehur edhe në ndihmat e fundit me 20 respiratorë nga Norvegjia. Ndër çështjet e trajtuara ishte edhe situata gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, dialogu me Serbinë dhe katër lëndët e adresuara nga VETËVENDOSJE! në Gjykatën Kushtetuese për të cilat po priten vendimet, si dhe përgatitjet që po bën Lëvizja për zgjedhjet e reja.

Në fund të takimit, Kryetari Kurti falenderoi Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkan, z. Bjørnstad, dhe ambasadorin Grøndahl për përkrahjen e vazhdueshme dhe të parreshtuar të Norvegjisë ndaj Kosovës dhe u zotua për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kontribo