12 12 2019

Takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Sot, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kryesisë dhe komiteteve profesionale, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Fillimisht, përfaqësuesit e sindikatave shprehën falënderimet e tyre për gatishmërinë e përhershme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për t’i takuar dhe trajtuar problemet e punëtorëve, për dallim nga Kryeministri në ikje dhe Presidenti aktual, nga të cilët nuk kanë marrë përgjigje në ftesat për takim. Ata njoftuan Kurtin dhe të pranishmit e tjerë me qëndrimet e tyre mbi Ligjin mbi Pagat, i cili aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ata shprehën shqetësimet e tyre me zhvillimet e fundit në raport me këtë ligj dhe njoftuan se janë në kontakt me Këshillet Drejtuese të secilës nga këto tri sindikata, me të cilat do t’i shqyrtojnë veprimet e ardhshme.

Të dyja palët u pajtuan se në raport me këtë çështje, çfarëdo hapi i mëtutjeshëm është i kushtëzuar nga dy procese të rëndësishme për vendin: formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin mbi Pagat. Gjithashtu, ato u pajtuan që, si asnjëherë më parë, për të gjitha çështjet të vazhdojë bashkëpunimi i afërt mes Qeverisë së ardhshme dhe të gjitha sindikatave.

Kontribo