Takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) dhe njëherit deputetin e Parlamentit Kombëtar të Francës, z. Jacques Krabal
Sot, Kryetari Kurti, së bashku me kandidaten për deputete, znj. Saranda Bogujevci, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti dhe anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Fitore Pacolli priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) dhe njëherit deputetin e Parlamentit Kombëtar të Francës, z. Jacques Krabal, të shoqëruar nga Drejtuesi i Misionit për Evropë në APF, deputeti Belg, z. Jean Charles Luperto, Sekretari i Përgjithshëm Administrativ i APF, z. Emmanuel Maury dhe këshilltari i APF për rajonin e Evropës, z. Fatmir Leci, Cécile Fisterberg dhe Fikrije Pllashniku nga Ambasada Franceze, si dhe Bardha Etemi nga MPJ.
Z. Krabal e uroi kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehu bindjen se një proces i tillë zgjedhor e demokratik mund të merret shembull nga 88 shtetet anëtare të APF. Ai tregoi se APF i ka dy misione: të ofroj mundësi për mësimin e gjuhës frënge dhe të ndihmoj në zhvillimin e demokracisë në vendet anëtare të APF-së, dhe vendet tjera duke respektuar sovranitetin e secilit shtet. Sipas tij, Kosova ka bërë punë shumë të mirë drejt zhvillimit dhe kulturës frankofone por ka nevojë që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies së gjuhës frankofone në të gjitha nivelet shkollore dhe akademike. Ai shprehu bindjen se me qeverisjen e ardhshme dhe bashkëpunimin e ndërsjellë do të ketë më shumë suksese në këtë pikë.
Z. Luperto theksoi rëndësinë e mundësive që ofrojnë organizatat ndërkombëtare si APF për shtrirjen e ndikimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai tha se APF dhe Kosova si anëtare e saj janë që të dyja në situatë fituese kur bashkëpunojnë.
Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe shprehu gatishmërinë për t’u angazhuar për përparimin e statusit të Kosovës përbrenda APF-së në të ardhmen. Ai tha se qeveria e ardhshme krahas prioriteteve që lidhen me sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik që krijon vende të reja pune, do të angazhohet që studentët që studiojnë e punojnë jashtë vendit të kthehen në Kosovë dhe t’i vazhdojnë studimet nga këtu duke bërë praktikë në institucionet e ndryshme publike ku edhe do të mund ta shpërndanin njohurinë dhe kulturën e punës që e kanë përvetësuar prej vendet nga vijnë.
Në fund të këtij takimit, palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre drejtë përparimit të statusit të Kosovës në APF dhe për zhvillimin e kulturës frankofone dhe demokracisë në Kosovë.