30 10 2019

Takim me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Natalya Apostolova

Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, së bashku me anëtaret e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci dhe znj. Fitore Pacolli, mirëpritën Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Natalya Apostolova të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj.

Znj. Apostolova uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi. Ajo tha se me përjashtim të pjesës veriore të vendit, ku u raportua se pati presion ndaj serbëve lokal, gjithçka duket se shkoi në mënyrë të drejtë dhe të rregullt. Tani, është e rëndësishme që pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit.

Kryetari Kurti e falënderoi znj. Apostolova për vizitën dhe gjithashtu shprehi shqetësimin me procesin zgjedhor në veri të vendit. Nevojitet adresimi i shkeljeve dhe parregullsive atje si dhe fillimi i dialogut për zhvillim me serbët lokal. Kryetari Kurti përmendi nevojën e një mini-Marshall plani të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane. Kurti po ashtu tregoi se e ka mirëpretur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, znj. Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, z. Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit, e të cilët theksuan rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në: 1) zhvillimin ekonomik dhe social, 2) sundimin e ligjit, 3) zbatimin e MSA-së dhe 4) çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Në fund të takimit, palët u dakorduan për komunikim të rregullt e bashkëpunim të mëtejmë.

Kontribo