10 09 2020

Takim mirëseardhës me Shefin e sapo emëruar të Zyres së BE/Përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga ish zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, z. Taulant Kryeziu, zëdhënësi i Lëvizjes, z. Përparim Kryeziu dhe asistentja ekzekutive e Kryetarit, znj. Valë Gjonbalaj, priti në takim mirëseardhës Shefin e sapo emëruar të Zyres së Bashkimit Evropian (BE)/Përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog dhe zëvendës shefin e Zyres së BE-së, z. Riccardo Serri.

Duke qenë ky takim i parë pas emërimit të z. Szunyog si ambasador i BE-së në Kosovë, kryetari Kurti i uroi fillim të mbarë në detyrën e tij të re, si dhe shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Zyren e BE-së në Kosovë. Ambasadori Szunyog e njoftoi kryetarin Kurti mbi synimet e tij gjatë mandatit të tij katër vjeçar, e të cilat synime kanë për qendër të vëmendjes zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë. Ai tha se e ardhmja e vetme për Kosovën është në BE, dhe se kjo duhet të konsiderohet si përfundim i pashmangshëm e jo si alternativë. Tutje ai paralajmëroi planin e ri të investime të BE-së në Kosovë, duke filluar nga fillimi i tetorit të këtij vitit.

 Në anën tjetër, kryetari Kurti e njoftoi se për të dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, bashkë me shtetin e së drejtës që lufton korrupsionin, përbëjnë boshtin e platformës qeverisëse, e cila është synuar gjatë Qeverisë Kurti dhe do të jetësohet gjatë Qeverisë Kurti 2. Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë tejet të rëndësishme dhe duhet të trajtohen ashtu, pra si prioritet kryesor. Ajo është diga që parandalon migrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve tanë jashtë Kosovës dhe në të njëtën kohë është ura që mundëson rikthimin e trurit në Kosovë. Sa i përket relacionit të Kosovës me BE-në, z. Kurti shprehu përkushtimin për integrim evropian dhe reforma të gjithanshme. Megjithatë, për Kosovën sikurse dhe për pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor nevojitet një vizion dhe lidership më i fortë i BE-së në këto kohëra dinamike e të krizave të ndryshme. 

Kontribo