22 04 2017

TAKIM NË VJENË ME DEPUTETËT E PARLAMENTIT AUSTRIAK

Gjatë vizitës së përfaqësuesëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në Austri, sot u mbajt një takim me deputetët e parlamentit austriak, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Austri. Në këtë takim, nga Lëvizja VETËVENDOSJE! morën pjesë deputetët Albin Kurti dhe Salih Salihu, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë Boiken Abazi bashkë me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Vjenë Serafina Bytyqi dhe Bekim Morina. Ndersa të pranishëm në këtë takim nga deputetët austriakë ishin deputeti Peko Baxant, nga Partia Social-demokrate, deputeti Lukas Mandl, nga Partia Popullore, dhe deputetja Terese Reiter. nga partia NEOS. Gjithashtu, në këtë takim mori pjesë edhe aktivisti i shoqërisë civile në Austri, Januz Saliuka dhe Sekretari i Përgjithshëm i Grupit të Miqësisë Kosovë-Austri, Arbër Marku.

Në këtë takim deputetët austriakë u interesuan mbi gjendjen ekonomike dhe politike në Kosovë, si dhe për alternativën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të dalë nga kjo gjendje. Ata gjithashtu shprehën interesin e madh të shtetit austriak për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e zhvillimit të saj ekonomik dhe në proceset e integrimit. Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! prezantuan pikat kryesore të programit politik dhe të alternativës qeverisëse të Lëvizjes, duke theksuar nevojën për ndryshimin e kursit ekonomiko-politik të vendit, si dhe rolin e mërgatës shqiptare në Austri si një urë që përforcon bashkëpunimin mes dy vendeve.

Vizita e përfaqësuesëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Austri do të vazhdojë me tubime me bashkatdhetarët ne Vjenë, Graz dhe Linz.

22 prill 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo