Të liqtë e ligjit
Imuniteti i disave ndaj ligjit, të qenit e disave mbi ligjin, është variant i paligjshmërisë. Ligji ose vlen për të gjithë, ose s’është përnjëmend ligj. Ligji në Kosovë na ndan sepse nuk jemi bashkë përfundi tij. Njerëzit në Kosovë nuk janë të barabartë para ligjit. Prandaj, ligji nuk është referencë përbashkuese e shoqërisë por thikë që e ndan shoqërinë në ata që janë të pambrojtur dhe në ata që janë të paprekshëm. Të pambrojtur janë qytetarët ndërkaq të paprekshëm janë ndërkombëtarët, krerët e partive dhe institucioneve me klanet e tyre, strukturat paralele të Serbisë dhe kriminelët serbë të luftës.
Të gjithë zyrtarët e EULEX-it dhe familjet e tyre i mban mbi ligjin imuniteti ndaj çfarëdo ndjekjesh penale në Kosovë, të cilin Brukseli ua ka normuar e vulosur. Të gjithë zyrtarët e duetit Thaçi-Sejdiu dhe familjet e tyre i mban mbi ligjin imuniteti i tyre që ua mundëson paradigma e stabilitetit e regjimit ndërkombëtar në Kosovë. Të parët janë objektivisht mbi ligjin, kurse të dytët janë subjektivisht mbi ligjin. Që të dy këto imunitete janë politike. Prandaj edhe ndryshimi i kësaj situate është doemos politik. Ai nuk mund të vijë (vetëm) përmes ligjit mbi të cilin këta ndodhen.
As Catherine Ashton dhe as paraardhësi i saj, Javier Solana, asnjëherë nuk e kanë sqaruar zyrtarisht pse pjesëtarët e EULEX-it në Kosovë duhet të kenë imunitet nga ligji. Arsyeja e cila dihet publikisht është se shtetet kontribuese në EULEX nuk do të pranonin të dërgonin nënshtetas të tyre me mision në Kosovë pa pasur ata imunitet të garantuar. Që nga fillimi e kanë ditur se pjesëtarët e EULEX-it në Kosovë do të bëjnë gjëra që s’i bëjnë dot në vendet prej nga vijnë. Janë vetë shtetet kontribuese në EULEX dhe jo ne vendasit që për emisarët e tyre në Kosovë e diktojnë imazhin e turistit perëndimor në një vend ekzotik të botës së tretë.
Në anën tjetër, krerët e partive dhe institucioneve, miqtë dhe miqtë e miqve të tyre, janë njerëzit më të pasur në vend. Pasuria e Kosovës është në duar të tyre ose ajo është shitur pikërisht prej këtyre. Pasuria e qytetarëve është bërë pasuri e pushtetarëve, porse pasuria e pushtetarëve nuk është edhe pasuri e qytetarëve.
Duke qenë të dëgjueshëm ndaj regjimit ndërkombëtar këta pushtetarë janë përkëdhelur prej tij për më shumë se një dekadë. Stabiliteti i brendshëm dhe i jashtëm i Kosovës janë mirëmbajtur në kurriz të popullit të Kosovës, në llogari të vullnetit dhe mirëqenies së tij. Nuk mund të ketë ligj stabil kur stabiliteti është ligji. Stabiliteti i brendshëm ka të bëjë me stabilitetin ndërmjet klaneve dhe fraksioneve politike vendore si dhe me stabilitetin ndërmjet të gjitha këtyre bashkë kundrejt shumicës së nëpërkëmbur të qytetarëve. Ndërkaq, stabiliteti i jashtëm konsiston te raportet ndërmjet fuqive të mëdha për çështjen e Kosovës por sidomos te koncesionet ndaj fqinjëve të Kosovës: tolerimi i strukturave të Serbisë, tolerimi i pretendimeve territoriale në zonat kufitare si dhe i shtypjes së shqiptarëve vendas nga Serbia, Maqedonia e Mali i Zi. E thënë ndryshe: mungesa brutale e çfarëdo reciprociteti me ta.
Kjo pakicë politikanësh vendas në Kosovë dominon për shkak të parave të shumta që i ka e jo ndonjë superioriteti të ideve të tyre. Ajo është ngjitur në ballkonin e ndërkombëtarëve dhe i qeshet popullit prej lart. Diku në hapësirën përfundi këpucëve të lustruara të zotërinjve të ballkonit dhe mbi supet e kërrusura të qytetarëve ndodhet ligji. Nuk është çudi pse nuk plotësohen as nevojat e shumicës për hir të luksit të disave. Në Kosovë nuk sundon ligji por ligji sundohet. Prandaj kaq shumë përmendet ‘sundimi i ligjit’. Sepse, vetëm kaq është e mundur: të përmendet. Ose, ndoshta duhet konsideruar faktin që shprehja ‘sundimi i ligjit’ megjithatë është e saktë. Ajo djallëzisht lejon ta ketë edhe kuptimin e sundimit mbi ligjin.
Interesat e kujt i mbron ligji? Vullnetin e kujt ligji e shndërron në një të drejtë? Këto pyetje duhet të bëhen në Kosovë dhe të gjejnë përgjigje para se të na e japin përgjigjen ‘sundimi i ligjit’ pa i pyetur fare njëherë. Ligji e formalizon një situatë me shkallë të caktuar lirie dhe bëhet mjet i riprodhimit të saj. Atëherë, çfarë lirie kanë qytetarët në Kosovë? Liri për tregti dhe për të bredhur. Jo çfarëdo lirie për tregti: liri për të konsumuar dhe jo për të prodhuar e shitur. Dhe, jo çfarëdo lirie për të bredhur: liri për të bredhur përbrenda Kosovës së rrudhur e jo edhe jashtë saj.
Ta zëmë se bëmë koncesione për të ‘pavdekshmit’ – ndonëse nuk u pyetëm për këtë – dhe sipas ligjit së paku popullsia e gjerë është e barabartë para ligjit. Mirëpo, sërish, cili është kuptimi i barazisë para ligjit kur e dimë që në çdo moment dhe në çdo aspekt të jetës politike, shoqërore dhe ekonomike jemi gjithnjë e më të pabarabartë? Kjo barazi është barazi formale që mund të shërbejë veçse për ta maskuar pabarazinë.
Në Kosovë nuk ka drejtësi, prandaj rezistenca ndaj padrejtësisë është veprim i drejtë. Madje, në një vend ku s’ka drejtësi dhe ka diktaturë si puna e Kosovës, atëherë rezistenca është jo vetëm një e drejtë politike por edhe një obligim qytetar. Shumë çmim të lartë po paguan Kosova që po e duron këtë elitë politike e cila për të mbetur në pushtet shet çdo gjë shoqërore dhe publike, kombëtare dhe kulturore. Regjimi ndërkombëtar nuk mund t’i durojë më pak se ne këta politikanë. Përkundrazi. Protektorati ndërkombëtar në Kosovë e ka dëshmuar që e mbron transaksionin ku qytetarëve të Kosovës u merren të gjitha, ndërsa liderëve partiakë e institucionalë u lejohen të gjitha.