Të lirohen sa më parë aktivistët
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! zhvilluan një aksion simbolik për të kundërshtuar përndjekjen dhe mbajtjen në burg në mënyrë të padrejtë të aktivistëve të opozitës.
Isa Mustafa po e vërteton se është Kryeministër i ‘Zajednicës’. Ai ka vënë në përdorim çdo mjet që të mbrojë këtë marrëveshje të dëmshme. Përmes policisë dhe drejtësisë së kapur ai i është lëshuar në gjah aktivistëve të opozitës.
“Këtë zell të policisë dhe gjyqësisë sigurisht që nuk e shohim ndaj strukturave paralele, korrupsionit tenderomanisë, tjetërsimit të pronave, mafias së ndërtimit, klanit Hamiti dhe SHIK-ut dhe shumë strukturave të tjera kriminale që janë të lidhura ngusht me pushtetin”, tha aktivisti Nol Nushi. Ai më tej u shpreh se “deri tash nga qeverisja Mustafa, kanë përfituar vetëm familja e tij, Serbia dhe Mali i Zi. Djemve po u jep tenderë, Serbisë po ia jep ‘Zajednicën’ e Malit të Zi po i fal territor.”
Opozita e bashkuar bën thirrje që aktivistët të lirohen sa më parë, dhe të tërhiqen marrëveshjet e dëmshme, përndryshe këtë pushtet e pret rezistencë e fuqishme qytetare.
17 tetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!