31 10 2019

Të shqyrtohen e numërohen fletëvotimet e bashkatdhetarëve

Të shqyrtohen e numërohen fletëvotimet e bashkatdhetarëve

Prej më shumë se 10 ditësh i gjithë opinioni publik është duke ndjekur me vëmendje mosveprimin e Komisionit Qendror Zgjedhor lidhur me trajtimin e fletëvotimeve të ardhura nga Mërgata. Veçanërisht të atyre të cilat për momentin nuk po procedohen me justifikimin se kanë mbërritur pas afatit ndonëse janë dërguar nga bashkëatdhëtarët shumë ditë para datës së zgjedhjeve.

Sot po ashtu pamë pamje aspak normale në numërimin e fletëvotimeve të ardhura në mënyrë të parregullt nga Serbia, të cilat shkaktuan probleme në shëndetin e punëtorëve të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Ndërsa priten rezultatet nga analizat dhe hetimet e Policisë së Kosovës, ende pa u kuptuar qartë se çfarë ndodhi, filloi sërish verifikimi i tyre në kushte të jashtëzakonshme.

Është padyshim e patolerueshme që të krijohen të gjitha kushtet, edhe përtej të lejueshmes, për t’u trajtuar zarfet nga Serbia, dhe të mos trajtohen zarfet e ardhura nga bashkatdhetarët tanë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! pas ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashresa dhe përgjigjes së tyre, e dërgoi në Gjykatë Supreme ankesën për trajtimin e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga bashkëatdhetarët.

Jemi po ashtu në pritje që të fillojë verifikimi i tyre sa më parë, e dërgimi në Qendrën e Numërimit për t’u vendosur në rezultatin e përgjithshëm si vota të rregullta.

23 tetor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo