Të zbatohet ligji për sigurimet shëndetësore. Të ndalohet monopoli i kompanive private
Në ditën botërore të shëndetit, nënkryetarja e Lëvizjes, znj. Fatmire Kollçaku Mulhaxha tha se moszbatimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor Publik ka bërë që shumë qytetarë të këtij vendi, të prekur nga sëmundjet, e në veçanti ato malinje, ose të kërkojnë shërim me kosto të lartë jashtë vendit, ose në pamundësi të mjeteve financiare të bredhin pa shpresë. Kompanitë që ofrojnë sigurim shëndetësor privat sipas saj vetëm sa po zhvatin xhepat e qytetarëve duke kërkuar klientë që janë gati 100% të shëndoshë, nën moshën 65 vjeçare dhe pa dosje shëndetësore.
“BQK-ja e cila mbikëqyr këto kompani ende nuk ka përmbushur kërkesën e cila del nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për raportim, lidhur me veprimtarinë e kompanive të sigurimeve. Ky njëherit është edhe obligim ligjor.” tha nënkryetarja Kollçaku Mulhaxha e cila theksoi se kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore, e që pas diagnostifikimit të klientit të tyre me ndonjë sëmundje, provojnë ta ndërprejnë kontratën me të, duhet të japin përgjegjësi para institucioneve të Republikës, deri në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre, poqëse është nevoja.
Kollçaku Mulhaxha tha se ka dyshime të bazuara që Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik qëllimisht po prolongohet, me qëllim që të mirëmbahet monopoli i kompanive private në treg. Para ligjit duhet të jemi të barabartë, dhe të kemi qasje në të mirat shëndetësore tha nënkryetarja e Lëvizjes duke porositur edhe njëherë që: Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik duhet të zbatohet, dy rezolutat e kaluara në Kuvendin e Republikës të merren parasysh, dhe BQK t’i mbikëqyrë kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore.