Thirrje për protestë
Mjerimi në Kosovë po rritet, por veprimet dhe programet e qeverisë nuk na japin shpresë për zbutjen e varfërisë e uljen e çmimeve. Për njerëzit e thjeshtë është bërë shumë e vështirë që të sigurohet punë, ndërsa pushteti po dëshiron t’i punësojë vetëm njerëzit e vet duke e fryrë ekzekutivin. Qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike. Drejtësia në Kosovë është uzurpuar, po ashtu televizioni publik është kthyer në zëdhënës të Qeverisë. Ndërkohë, Kosovës po i ndodh një erozion i vazhdueshëm i sovranitetit dhe integritetit territorial për shkak të qasjes së Qeverisë sonë ndaj negociatave me Serbinë e cila na e solli Asociacionin e Komunave serbe si një entitet brenda shtetit tonë. Këto kanë qenë disa prej arsyeve që Glauk Konjufca, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dhënë në lidhje me thirrjen për protestë më 18 prill 2015, ora 14:00.