Tregtia me KQZ – Thaçi po e shkel Kushtetutën për t’i shpërblyer partnerët në dialog
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me shkeljet kushtetuese që Presidenti Thaçi po i bën që një vit e gjysmë duke mos emëruar anëtarët e KQZ sipas rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes dhe deputeti Xhelal Sveçla duke folur për Komisioni Qendror të Zgjedhjeve si organ i rëndësishëm kushtetues dhe i pavarur, ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e të cilit është parakusht për garantimin e paanshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve, foli për degradimin dhe kapjen që Presidenti po i bën këtij institucioni, mirëpo tash edhe me bashkëpunëtorët e tij negociatorë, jo vetëm PDK, kryetar i së cilës ishte, por edhe me AAK-në, NISMA-n dhe PSD-në.
“Përbërja dhe funksionet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të shihen nga këndvështrimi i ndikimit në integritetin e zgjedhjeve, besueshmërinë e paanshmërinë e procesit zgjedhor dhe ndërtimit të konsolidimit të demokracisë nëpërmjet garës elektorale të subjekteve politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe që kanë qenë të çertifikuara nga ana e KQZ-së në zgjedhjet e fundit. Kjo është norma dhe fryma që mbartë Kushtetuta e Republikës, e veçmas e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Andaj, çfarëdo cenimi i integritetit të KQZ-së, siç po bënë Presidenti Thaçi, është cenim i demokracisë e shkelje e rëndë e ligjit dhe e Kushtetutës së Republikës”, tha Xhelal Sveçla.
Ai po ashtu foli edhe për ligjin për zgjedhjet që thekson qartë se“Mandati i anëtarëve të KQZ-së fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend”. Pra mandatet në KQZ nuk kanë të bëjnë me Kuvendin, por direkt me rezultatin e zgjedhjeve. Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 koalicioni PAN do të duhet të ketë 2 anëtarë, Lëvizja VETËVENDOSJE! 2 anëtarë dhe koalicioni LAA dy anëtarë.
Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe procedurat dhe kushtet e emërimit të anëtarëve të KQZ-së të cilat janë të qarta.
“Sipas Kushtetutës, grupi më i madh parlamentar duhet te konsiderohet partia, koalicioni, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë më shumë vende në Kuvend, në kuptim të nenit 64 (1) të Kushtetutës, se çdo tjetër parti, koalicion, iniciativë qytetare dhe kandidatë të pavarur që kanë marrë pjesë si të tillë në zgjedhje…”, tha ajo duke cituar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Hashim Thaçi nuk mund ta përdorë zyrën e Presidentit, për t’ia mohuar opozitës përfaqësimin që ua ka dhënë votuesi në zgjedhje, e ia garanton Kushtetuta, ligji, por edhe standardet ndërkombëtare.
Lëvizja VETËVENDOSJE!, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për zgjedhje, sot do të dorëzojë tek presidenti dy nominime për anëtarë të KQZ-së, Adnan Rrustemin, anëtarin e deritanishëm të KQZ-së nga Lëvizja dhe Nazlie Balen. VETËVENDOSJE! kërkon nga Presidenti që sa më parë të konfirmojë dy anëtarët e propozuar të KQZ-së që do të përfaqësojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! në këtë mandat dhe të tërhiqet nga skenarët e tij për të tregtuar përbërjen e KQZ-së. Çfarëdo vendimi tjetër përveç atij që na garanton Kushtetuta, ligji për zgjedhjet dhe rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, do të jetë i papranueshëm dhe do të kontestohet në të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese.