14 01 2017

TRENI I NEGOCIATAVE

Treni i linjës Beograd-Mitrovicë, i cili cenon tutje sovranitetin e Kosovës, është produkt i pastër i negociatave pa parime e pa kushte të shtetit tonë me Serbinë. Dhe sikurse për koncesione të tjera, përgjegjësit kryesor edhe për këtë iniciativë të Serbisë brenda Kosovës janë Hashim Thaçi, Edita Tahiri dhe Isa Mustafa.

Ky tren që po qarkullon për herë të parë në relacionin Beograd-Mitrovicë që nga viti 1999, është përplot me motive të trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë dhe me thënie që konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë. Dhe kjo, është qartas mesazhi i Serbisë që e do Kosovën si në vitin 1999.

E kundruall gjithë kësaj, institucionet tona që detyroheshin nga Lista Srpska që të mbulonin muralet me simbole kombëtare në Kuvendin e Kosovës, kanë zgjedhur të mos veprojnë dhe të viktimizohen. Përballë këtij projekti famëkeq, negociatorët deklarojnë se treni është ilegal, se nuk janë marrë vesh për të në negociata, dhe kërkojnë që ai të ndalet nga Bashkimi Evropian. Ndonëse, në vazhdimësi të njëjtit negociatorë janë deklaruar për suksese të njëpasnjëshme të Kosovës në procesin negociator me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është vënë në shërbim të Serbisë. Nënshtrimi i vazhdueshëm ndaj Serbisë përmes negociatave me të, dhe nënshtimi ndaj degëzimit të saj në Kosovë, Listës Srpska, është garancë edhe për projekte të tjera që do ta minimizojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, që të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës duhet që të mos lejohet Serbia brenda saj. Dhe që të ndalet Serbia, është e domosdoshme që të ndërpritet procesi negociator pa parime e pa kushte më të, gjë të cilën nuk e bën dot qeveria aktuale e Kosovës, e cila funksionon pa asnjë parim dhe e kushtëzuar nga shteti serb.

Kontribo