Tri mundësi për Isa Mustafën
Aktivistët e opozitës kanë realizuar një aksion simbolik para stacionit kryesor të policisë në Prishtinë ku përmes parullave kanë bërë thirrje për lirimin e aktivistëve e deputetëve të cilët po mbahet padrejtësisht në burgje.
Aktivisitja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Teutë Hasani ka përsëritur tri mundësitë që opozita ia ka dhënë Qeverisë në manifestimin për Repubilkën.
• Të tërhiqen marrëveshjet,
• Të dërgohen në Referendum ose
• Vendi të shkojë në zgjedhje
“Këto mundësi do ta tejkalonin këtë krizë, do ta kthenin normalitetin në vend, dhe mbi të gjitha, do të parandalonin copëtimin apo bosnjëzimin e Kosovës”, tha Hasani.
Sipas saj, Kryeministri Isa Mustafa këtyre nuk do të duhej t’iu përgjigjej me dhunë, por do të duhej të reflektonte dhe të vendoste për njërën nga to.
“Duam ta shprehim pakënaqësinë dhe shqetëzimin tonë në lidhje me arrstimin e deputetëve dhe suspendimin e opozitës. Arrestimi dhe suspendimi i tyre është akt jodemokratik. Ata, as askush nuk mund të arrestohen vetëm pse mendojnë ndryshe”, ka thënë Diellza Hoti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Më tej, i është bërë thirrje policisë që të mos bjerë pre e ndikimeve partiake por të jetë në shërbim të qytetarëve. “Bastisja e zyrave të opozitës është element i sistemeve totalitare që botës i kanë sjellë vetëm shtypje dhe terror. Veprimet e jashtëzakonshme të opozitës janë normale në një situatë jonormale ka shtuar aktivisti i NISMËS për Kosovën, Endrit Hoxha.