TRIBUNË: 120 vjet nga Lidhja e Pejës – shqiptarët sot
Me rastin e 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës dhe Kuvendit Besa-Besë, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi në qytetin e Pejës tribunë për rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike ku në praninë e qytetarëve folën Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, profesorët e historisë Gazmend Rizaj, Zymer Neziri dhe Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Pejë prof. Bashkim Lajçi. Po ashtu, përgjatë ditës Lëvizja bëri nderime në kullën e Haxhi Zekës në Leshan, në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë dhe në shtatoren e tij në qendër të qytetit.
Lidhja e Pejës është mbajtur 20 vite pas Lidhjes së Prizrenit me pjesëmarrjen e 500 patriotëve, intelektualëve dhe përfaqësuesve të të katër vilajeteve shqiptare nën drejtimin e Haxhi Zekës. Kuvendi Besa-Besë është një përsëritje e Lidhjes së Prizrenit, një përtëritje e vendosmërisë, organizimit dhe e vizionit të atdhetarëve shqiptarë për çlirimin, pavarësinë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të trojeve tona. Kuvendi doli me një rezolutë 11 pikëshe për parandalimin e copëzimit të trojeve shqiptare, për organizimin e mendimit dhe të veprimit mbarëkombëtar për mëvetësinë politike, ndalimin e gjakmarrjeve dhe të përçarjeve brendashqiptare dhe për unifikimin e katër vilajeteve në një të vetëm me udhëheqje politike, fetare dhe me gjuhë shqiptare.
Lidhja u mblodh në kushtet kur Fuqitë e Mëdha nuk ishin të interesuara në prishjen e stabilitetit të rajonit dhe në shpërbërjen e Perandorisë Osmane për shkak të investimeve të shumta financiare dhe politike në këtë Perandori dhe për shkak të përllogaritjeve të tjera gjeopolitike. Organizimi i Lidhjes së Pejës shërbeu pikërisht për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe avancimin e hapave drejt pavarësisë së shqiptarëve nga Perandoria Osmane.
Organizime të tilla mbarëkombëtare nxjerrin në pah edhe ekzistencën e personazheve historik si Haxhi Zeka. Haxhi Zeka, ish-anëtar kryesie në Lidhjen e Prizrenit, pati rolin qëndror në bashkimin e përfaqësuesve nga të gjitha vilajetet shqiptare. Emri i tij është i pandashëm nga Lidhja e Pejës; asnjëri nuk do të njihej pa tjetrin. Tre vite pas Kuvendit Besa-Besë, Haxhi Zeka u vra befasisht, duke lënë një zbrazëti historike të atillë sa historianët mendojnë se historia e kombit tonë do të kishte rrjedhur ndryshe në rast se komploti i organizuar mbi të nga disa prej aktorëve ndërkombëtar të përfshirë në ngjarjet e kohës do të kishte dështuar. Sot, Kulla, Mulliri dhe Shtatorja e tij në Pejë janë kujtesa për këtë personazh dhe për këtë ngjarje qëndrore në historinë tonë.
Në fund të tribunës, Albin Kurti e vendosi Lidhjen e Pejës në kontekstin e kohës duke kujtuar punën kolektive të asaj kohe shoqëritë patriotike të mërgatës me kërkesat e tyre ndaj Portë së Lartë për të drejtat e shqiptarë. Po ashtu, përmendi botimin e veprës së rëndësishme “Historia e Skënderbeut” nga Naim Frashëri një vit para Lidhjes së Pejës dhe botimin e veprës së Sami Frashërit “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” në të njëjtin vit me organizimin e Lidhjes. Forcimi i pavarësisë dhe garantimi i tërësisë territoriale të Kosovës janë jehona e kësaj ngjarjeje historike në aktualitetin tonë politik. “Një metër/katror territor vlen më shumë sesa karriga e kryeministrit”, tha Kryetari Albin Kurti.
Ngjarjet si Lidhja e Prizrenit bëhen të padukshme pa përsëritjen e tyre përmes ngjarjesh si Lidhja e Pejës. Është gjithmonë përsëritja e të dytit ajo që e nxjerr në pah themelimin fillestar të të parit. Po ashtu, prej Lidhjes së Pejës kujtojmë se kalimi nga gjeopolitika e interesave të fuqive të mëdha në drejtësinë e pavarësisë dhe bashkimit të popujve të kolonizuar bëhet përmes deklarimeve, organizimeve dhe veprimeve kolektive çliruese. Lidhja e Pejës na kujton se historia nuk bëhet fshehtazi, me deklarata të paqarta dhe me veprim të çorganizuar.