Tubimi me gra dhe vajza për 500 mijë zemra-Cep më Cep 118
Gratë dhe vajzat të bashkuara drejt 500 mijë zemrave cep më cep Kosovës.
Në sallën “1 Tetori” të mbushur cep më cep, gratë dhe vajzat folën zëshëm në këtë tubim të paparë më herët e më madhështorin ndonjëherë që kanë mbajtur gratë dhe vajzat në Kosovë, duke provuar se me LËVIZJEN VETËVENDOSJE!, me numrin 118 e me 500 mijë zemra anembanë Kosovës, do të kemi fitoren më të madhe e historike.
“Jemi këtu për të gjitha vajzat dhe gratë që dhanë jetën për lirinë e kësaj Kosove, e gjithë shqiptarisë, për ato që na bënë krenare me medaljet e tyre, me rolet dhe çmimet e tyre kudo në botë, për çdo vajzë e çdo grua që lufton çdo ditë për të mirën e vendit tonë, për ato që kanë nevojë për ndihmën tonë e ato që çdo ditë krijojnë hapësira të reja që vajzat e gjeneratave të reja ta kenë rrugën çelur gjithandej”, thanë kandidatet për deputete nga lista jonë, Adriana Matoshi dhe Edona Llalloshi, teksa hapën këtë tubim frymëzues dhe me entuziazëm cep më cep.
Në vazhdim, ishte Ministri i Financës, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se si qeveri jemi përkujdesur t’i mbështesim gratë dhe familjet, duke i ndarë mbi 150 milionë euro buxhet për shtesat e nënave lehona dhe për fëmijët, kemi rritur pagën minimale, kemi mbështetur punësimin e grave dhe vajzave përmes subvencionimit direkt dhe gjithsej kemi mbi 12 mijë gra dhe vajza që i janë shtuar tregut të punës si rezultat i masave të qeverisë Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në fjalën e saj u shpreh se asnjëherë më parë fuqia e grave nuk ka qenë kaq e madhe dhe ndikimi ynë kaq i rëndësishëm: “Me programin tonë të ri, me qeverinë tonë Kurti 3 do të bëjmë edhe më shumë për vajzat dhe gratë e vendit tonë dhe na duhet angazhimi i të gjithëve për ta bërë Kosovën të shkëlqejë në ekonomi të zhvilluar, me drejtësi të garantuar, me mirëqenie të zbatuar, për secilën familje dhe qytetar, për secilën vajzë dhe grua në Republikën tonë.”
“Ne e dimë se secila prej jush ka ëndrra për veten, për fëmijët tuaj, për familjen dhe shoqërinë. E dimë se shumë shpesh ëndrrat e grave sakrifikohen për të mbështetur ëndrrat e të tjerëve. Ne jemi këtu që tani dhe përgjithnjë, talenti, dija dhe potenciali i çdo gruaje mos mbetet më i fshehur. Ne kemi punuar kësilloj dhe do të vazhdojmë të punojmë kështu”, tha Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia teksa iu drejtua të pranishmeve në këtë tubim.
“E veçanta është se kur gratë mblidhen, diçka e rëndësishme po ndodh. Dhe çfarë do të ndodhë më 9 shkurt: fitorja jonë e madhe, pjesë e të cilës do të jenë gratë dhe vajzat e Republikës së Kosovës”, tha kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari gjatë fjalës së saj, duke shtuar më tutje edhe një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjitha gratë dhe vajzat në Kosovë: “Me secilin gur që na gjuajnë, ne ndërtojmë rrugë që të tjerat të vijnë pas pa pengesa.”
Kryeministri Albin Kurti, pasi mori fjalën e tij u shpreh se gratë e bartin barrën e dyfishtë, të peshës në vend pune e të punëve pa mbarim në shtëpi, e ato e bëjnë edhe aktivizmin e dyfishtë, merren me politikat e përgjegjshme, por edhe me çështjet gjinore. Më pas ai shtoi se bashkë në Lëvizje e kudo, në institucione e shoqëri, le t’i aktivizojmë gratë e shkolluara dhe le t’i shkollojmë gratë aktive, se kjo është e domosdoshme për të ardhmen edhe të ndritshme edhe të sigurtë.
“Solidariteti dhe bashkëpunimi janë gurët themeltarë të përparimit. Po, gara është konkurencë, por jeta është bashkëpunim, jeta është solidaritet, përpjekja për ta bërë Kosovën një vend më të mirë e një shoqëri të drejtë për të gjithë është e përbashkët dhe e përditshme”, theksoi kryeministri Kurti.
Ai foli për kontributin e jashtëzakonshëm të grave në qeverisjen e LËVIZJES VETËVENDOSJE!, të cilat ishin edhe të pranishme në sallë: ministrja Donika Gërvalla, shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari Lila, zv.kryeparlamentarja Saranda Bogujevci, ministrja Albulena Haxhiu, ministrja Artane Rizvanolli, ministrja Arbërie Nagavci dhe ministrja Rozeta Hajdari, që janë në mesin e listës sonë fituese, së bashku me 34 gra dhe vajza të tjera, të cilat i falënderoi për punën dhe kontributin e tyre.
“Më 9 shkurt, të gjitha në votime cep më cep Kosovës, nga secila komunë, nga secili fshat, secila lagje, në çdo shtëpi e çdo rrugë, me vendosnëri, me guxim, me VETËVENDOSJEN!, për veten tuaj e për Republikën tonë, për numrin 118 që sjell barazi, liri, sovranitet dhe dinjitet”, potencoi kryeministri Albin Kurti në përfundim të këtij tubimi të grave dhe vajzave me plot besim e vendosmëri për fitoren e 500 mijë zemrave që rrahin si një e në secilin cep të Kosovës.