Tubimi më i madh ndonjëherë, kurorëzimi i fushatës së kuqe flakë cep më cep me 118
Nga çdo cep i Kosovës e nga secili drejtim që mërgata vjen në atdhe, qytetarët e bashkuar në Prishtinë, në Sheshin Skënderbeu, shënuan historinë me tubimin elektoral të kuq flakë e më të madhin ndonjëherë që prej pasluftës. Fushatës tonë që kulmoi me këtë tubim të paparë e të papërsëritshëm, qytetarët i dhanë vulën sonte, e ajo mban numrin 118, që përbashkon 500 mijë zemra që rrahin si një.
Në fjalën e tij të hapjes së këtij tubimi të jashtëzakonshëm, ministri Arben Vitia iu drejtuar qytetarëve të pranishëm duke thënë: “Virtyti i lartë i një qeverie është të lartësohet bashkë me popullin e vet. Dhe sot ne jemi këtu, në tubimin përmbyllës falënderues për ju, të betimit solemn para jush, se do të shërbejmë me çdo çmim, përulësisht, pa u ndalur, përgjithmonë, për Republikën e Kosovës.”
“Ju që të dielën votoni për herë të parë, duhet t’ua dëgjojmë zërin fuqishëm, t’ua dëgjojmë rrahjet e zemrës fuqishëm, t’ua shohim buzëqeshjen dhe dritën në sytë tuaj që do ta bëjnë Kosovën të fortë, të dinjitetshme e të begatë”, tha Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci teksa iu drejtua të rejave dhe të rinjve të Kosovës.
Më tutje, ministrja Albulena Haxhiu pasi mori fjalën e saj iu drejtua grave dhe vajzave të vendit tonë: “Më shumë se kurrë, vajzat dhe gratë e Kosovës do ta shënojnë 9 shkurtin me emrin e tyre, do ta shënojnë fitoren e thellë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe të kryeministrit Albin Kurti. Nuk ndalemi për asnjë çast deri në finale.”
Teksa mori fjalën e tij përballë një mase madhështore qytetare e një entuziazmi të zjarrtë, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shpreh se tani që po ju shoh kaq shumë, e di se pse jemi mbledhur këtu sonte: për me thënë “mirupafshim në zgjedhjet e 2029-ës”, se këto zgjedhje të 2025-ës qënkan kry.
“Mbasnesër duhet të dalim të gjithë, secili, sepse krejt arritjet shumë të rëndësishme, si shtesat për fëmijët e nënat lehona, e deri te ndërhyrja e suksesshme në veri dhe sovraniteti jonë, janë në fije të perit nëse nuk dalim secili prej nesh pasnesër edhe me e mbështet Lëvizjen VETËVENDOSJE!, numrin 118 dhe me e bë kryeministër Albin Kurtin për herë të tretë”, tha më tutje Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila theksoi se me fitoren tonë do të fitojë ekonomia dhe mirëqenia e vendit. Më pas ajo vijoi të thotë: “Koha e përqindjeve, haraçit e zhvatjes ka përfunduar, e kemi pre. Ne jemi vendi i grave dhe burrave punëtorë e të drejtë, vendi i intelektualëve patriotë, ne e duam vendin të përparuar për të gjithë, nuk jemi vendi i oportunistëve që pushtetin e deshën vetëm për vete.”
Ndërsa ministrja Donika Gërvalla, bashkëkryetare e partisë Guxo, solli në vëmendje se “ata” të gjithë janë kundër nesh, por as ne nuk jemi vetëm, e jemi shumë më të fuqishëm se ata, se ne kemi qytetarin e Kosovës. Më tutje ajo u shpreh: “Kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe partneritet të rrallë me LËVIZJEN VETËVENDOSJE! dhe këtë do ta vëmë në dispozicion të zhvillimit të vendit edhe pas datës 9 shkurt.”
Në këtë tubimin elektoral, më të madhin ndonjëherë në Kosovën e pasluftës e që tejkaloi çdo pritshmëri, përpara qytetarëve doli kryeministri Albin Kurti, që pamjes madhështore të pranisë masive e me entuziazëm të pashtershëm të qytetarëve i dha kulmin më kuptimplotë.
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476438210_1037106021788981_408048302241497133_n-1024x732.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476343911_1037105855122331_2559955365915516498_n-1024x732.jpg)
Ai tha se 9 shkurti është referendum për katër vitet që shkuan, por edhe për katër vitet që do të vijnë, duke numëruar më pas të gjitha arritjet e bëra nga qeverisja jonë dhe më pas zotimet për të gjitha punët që do të realizohen, si dhe ato që do të fillojnë përgjatë qeverisjes së ardhshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE, e që ky “referendum” numrin e ka 118.
Kryeministri Kurti theksoi se Republikën e Kosovës e kemi bërë shtet solidar, që kujdeset për të gjithë, që u jep të gjithëve mundësi të barabarta për zhvillim, pa diskriminim e pa privilegje. Përbri kësaj, shtoi se qeverisja jonë e mirë e bëri Kosovën edhe shtet të shumicës e me drejtësi për të gjithë, një shtet të shumicës që garanton edhe të drejtat e pakicave. E po ashtu shtoi: “Me neve edhe lëvizim pa viza në Evropë, edhe nuk lëviz kufiri në veri.”
“Qeveria jonë kurrë nuk i ka rrezikuar raportet me ShBA-në dhe BE-në. Përkundrazi. Kurrë nuk ka pasur marrëdhënie më të gjera, më të thella, më përmbajtësore, më cilësore me aleatët, partnerët, miqtë tanë ndërkombëtarë nga Perëndimi sesa me qeverinë tonë. Ne kemi ndërtuar partneritet të mirëfilltë. Armiqësia dhe serviliteti janë dy ekstremizma. Ne jemi kundër ekstremizmave, ne jemi për normalitet, që është partneritet”, nënvizoi kryeministri Albin Kurti.
Duke vazhduar fjalën e tij, ai foli edhe rreth opozitës, për të cilën tha se për 4 vjet nuk ka mundur të organizojë as edhe një protestë qytetare, duke vënë theksin te pafuqia e saj e gjithanshme: “Oligarku më i madh në Kosovë, i pakënaqur me opozitarizmin filloi t’i marrë partitë opozitare me qira në fushatë kundër qeverisë, sidomos njërën prej tyre, porsi veturën ‘rent a car’ dhe të hënën në mëngjes atë veturë duhet ta kthejë në parking, aty ku e ka marrë, në opozitë, edhe më të lodhur sesa e ka marrë.”
“Shenja ‘V’ me dy gishta do të thotë VETËVENDOSJE!, tash, këtu, cep më cep Republikës më 9 shkurt. Së fundmi, për shkak të qeverisjes tonë ky simboli “V” është bërë edhe simbol i gërshërëve, se ne fitojmë me ‘V’, por edhe prejmë me ‘V’. Prejmë korrupsionin, krimin, strukturat e Serbisë, keqpërdorimet, të gjithë ata kriminelë e armiq, të cilët nuk ia duan të mirën Republikës dhe popullit tonë”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.
Ai shtoi se gjatë mandatit tonë, kemi marrë vesh çfarë kemi bërë, por edhe çfarë nuk u bë 20 vjet: “20 vjet në pushtet, herë LDK e herë PDK, por u desh të vijë VV që të restaurohet edhe Kompleksi i Epopesë së UÇK-së i kryekomandantit Adem Jashari, edhe shtëpia e presidentit historik Ibrahim Rugova. Ata votat i merrnin në emër të UÇK-së e në shpinë të Rugovës, por nuk e kujtonin, nuk e rimëkëmbnin as UÇK-në as Ibrahim Rugovën.”
“Neve na bashkon shpirtërorja dhe idealja, shpirti kombëtar dhe ideali i dëshmorëve e ideali na bën besnikë. Në këtë rrugëtim tonin të përbashkët, besa dhe shpresa janë bashkë. Këtë bashkim tonin cep më cep Republikës e keni garanci që ua siguron sovranitetin, mirëqenien, dinjitetin, cep më cep, 118. Kosova është vendi ynë, 9 shkurti është vendimi ynë. Na priftë dhe na përcjelltë e mbara, drejtë fitores së madhe me 500 mijë vota”, tha kryeministri Kurti në këtë tubim historik në prag të fitores historike të 9 shkurtit.
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476014043_1037106295122287_8286633408835708115_n-1024x682.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476272757_1037106115122305_6918718164786567286_n-1024x732.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476241457_1037106155122301_5389762477691199269_n-1024x732.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476001675_1037106388455611_2120778064693514853_n-1024x683.jpg)