20 01 2025

Tubimi në Ferizaj-Cep më Cep 118

Në Ferizaj vijoi rrugëtimi fitues drejt 9 shkurtit i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Salla e mbushur plot cep më cep, e ndezur kuq flakë së jashtmi e së brendshmi në zemrat e qytetarëve të Ferizajit, të cilët do t’i bashkohen 500 mijë qytetarëve e votave në zgjedhjet e ardhshme.

Tubimi përshkoi nga tingujt e këngëve patriotike e atmosferës elektrizuese, tek fjalimet e bashkimit njëzëri në mbështetje të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, listës së saj fituese në numrin 118 e kandidatëve dhe kryeministrit të tashëm e të ardhshëm, Albin Kurti.

Kandidatja për deputete Fatbardha Zogaj Reka tha se qeveria Kurti është qeveri për të gjithë, e cila mundësoi shtesat për fëmijë, mbështetje për nenat lehona, rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë, subvencionim të pagesës së energjisë elektrike dhe pajisjeve efiçiente për ngrohje, rritje të subvencioneve për bujqit, arsim publik të lartë falas, e programin Superpuna, që janë vetëm disa nga shembujt se paraja e shtetit nuk shkon më në xhepat e politikanëve zhvatës, por drejt familjeve e qytetarëve.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, shprehu se për herë të parë në historinë e vendit ka patur mbështetje për bizneset prodhuese, duke ua subvencionuar kreditë investuese deri në 20 për qind, ku vetëm në Ferizaj janë 71 biznese që janë mbështetë me 2.7 milionë euro për të investuar në kapacitete prodhuese. “Ka qenë qeveria Kurti ajo që e ka thy rekordin e investimeve kapitale me 654 milionë euro në vitin 2024, po për më tepër edhe e ka ulur borxhin e faturave të papaguara ndaj bizneseve nga 140 milionë në vetëm 30 milionë euro, pra kështu mbështeten bizneset.”

Fjalën e radhës e pati Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se “Reforma në drejtësi dhe ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është bërë kërcënim për opozitën, sa herë flasim për byronë, ata ndihen të kërcënuar. Ne insistojmë aq shumë në vetting, e këta, opozitë e prokurori, insistojnë e angazhohen kaq shumë kundër vettingut sepse janë bërë bashkë. Ne jemi bërë bashkë me popullin e ata me njëri tjetrin, për ta penguar reformën, zhvillimin dhe përparimin e vendit.”

“Prodhimin po ia kthejmë ekonomisë e mirëqenien po ia sjellim shoqërisë. Nga progresi, drejt demokracisë, Kosova ka ndërtuar progres demokratik. Puna jonë nuk motivohet nga fitimi apo përfitimi personal, por nga rritja ekonomike dhe zhvillimi demokratik.” e hapi fjalën e tij kryeministri dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, duke shtuar se gjithnjë e përgjithmonë teksa punoni, mendoni për popullin.

“Ferizaji është zjarri i 500 mijë zemrave që do të rrahin porsi një, të dielën e 9 shkurtit. E ky zjarr i 500 mijë zemrave, na duhet që ta ndezim motorrin, që t’i ndezim turbinat e drejtësisë, që ndëshkon kriminelët dhe shpaguan viktimat.” kumboi ai, gjersa qytetarët pjesëmarrës përkrahnin thirrjen e kryeministrit Kurti. Ferizaji është qytet i rinisë, Kosova është shteti me moshën më të re në rajonin e Ballkanit, VETËVENDOSJE! është subjekti i të rinjve e qeveria jonë është në shërbim të të rinjve.

Kontribo