27 01 2025

Tubimi në Junik-Cep më Cep 118

Juniku unik e fisnik iu bashkua 500 mijë zemrave që rrahin sinkron anembanë Kosovës.

Në fjalën e tij hapëse të këtij tubimi, Kryetari i Qendrës së Junikut, Jetmir Tofaj i falënderoi pjesëmarrësit e shumtë që e ndezën sallën me entuziazëm, në Junikun e 12 fiseve, të kullave dhe odave, të trashëgimisë kombëtare, qëndresës dhe sakrificës.

Në vijim të këtij tubimi në cepin perëndimor të Kosovës, profesori Nezir Kraki që është kandidat për deputet në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga partia GUXO, tha se Juniku do të qëndrojë në anën e duhur të historisë, në këtë moment strategjik dhe krucial ku gjendet Kosova, për shtetësinë e saj cep më cep, duke shtuar se Albin Kurti nuk është një lider rajonal, por i të gjithë Kosovës.

“Juniku nuk do t’i votojë ata të cilët çdo mendim e nisin me fjalinë se ‘Serbisë duhet me i dhënë diçka’. Juniku do të rreshtohet drejt, sepse ka marrë fund koha kur Kosova shihej prej atyre që qeverisnin dikur vetëm si qasje në buxhetin e shtetit”, theksoi Nezir Kraki.

Ministrja e Jashtme dhe Zëvenësministrja, njëherazi bashkëkryetare e partisë Guxo, Donika Gërvalla në fjalën e saj tha se Juniku sot ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për një perspektivë, për zhvillim ekonomik të shpejtë, që të mbushet me jetë. Prandaj, ka nevojë për shumë punë dhe së bashku me kryeministrin Kurti dhe me dy kandidatën nga Juniku jemi me vizion të qartë për ta përmirësuar realitetin në të gjithë Kosovën.

“Gratë e Junikut kanë votuar pak në zgjedhjet e kaluara. Jo vetëm shtesat për fëmijë, shtesat që i marrin gratë lehona, jo vetëm rritjet e pensioneve, por edhe vëmendja e veçantë që kjo qeveri i ka dhënë pozicionit të gruas në shoqëri, në vendin e punës, si dhe vetë fakti që 63% e të punësuarve të rinj në institucionet tona janë gra, tregon që barazinë gjinore nuk e kemi vetëm fjalë, por e kemi vepër dhe punë. Nevojitet pjesëmarrja dhe vota e secilës grua në këtë përpjekje që gratë të japin kontributin e tyre sa më të madh në çdo drejtim”, nënvizoi ministja Gërvalla.

Mes ovacioneve të shumta e mbështetjes së madhe, fjalën e mori kryeministri Albin Kurti, i cili tha se gjatë qeverisjes sonë rreth 100 nëna lehona dhe më shumë se 720 fëmijë kanë përfituar shtesa, janë bërë mbi 10 milionë euro investime në Junik, nga rrugët e ndriçimi publik, te shkolla “Edmond Hoxha”, te çerdhja për 40 fëmijë që u përurua më pak se para dy javësh. E duam Junikun me zemër dhe këtë e dëshmojmë me mbështetje buxhetore, me përkrahje financiare dhe me investime kapitale.

Si projekt më strategjik dhe më të rëndësishëm për Junikun, kryeministri Kurti e veçoi rrugën Junik-Gjeravicë për të cilën deri më tani qeveria ka ndarë 4.5 milionë euro dhe do të vazhdojë ta mbështesë që të përfundojë sa më parë, në mënyrë që si banorët ashtu edhe turistët të shijojnë bukurinë e bekuar të Bjeshkëve të Nemuna dhe Bjeshkëve të Rugovës.

“Janë tre Junika. Njëri në Kosovë, njëri nëpër Kosovë edhe është një Junik i tretë në diasporë. Këta tre Junika le të bëhen bashkë për 1000 vota më datën 9 shkurt për numrin 118 dhe brenda 500 mijë zemrave në të gjithë Kosovën cep më cep ”, tha në fund kryeministri Kurti, duke shtuar se me programin e ri qeveritar jemi të nderuar që mund t’iu shërbejmë një populli të shkëlqyer si populli shqiptar dhe një Republike të jashtëzakonshme si ajo e Kosovës dhe një komune unike sikurse Juniku.

Kontribo