Tubimi në Klinë-Cep më Cep 118
Klina me 118 i bashkohet 500 mijë zemrave të Republikës
Në Klinën me histori të pasur të rezistencës dhe luftës për liri, në Klinën e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut nga periudha romake, në Klinën e rezistencës ndaj oligarkëve të pasluftës, u mbush palestra me të rinj e të reja, me të moshuar e pleq, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar Kryeministrin Albin Kurti për mandatin e tij të ri qeverisës.
Kandidatja për deputete, Teuta Mulaj, në fjalën e saj kujtoi disa prej të arriturave të qeverisë Kurti 2, të cilat, siç tha ajo, tregojnë qeverisjen me vizion të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Kemi pasë një qeverisje që e ka rritur mirëqenien e qytetarëve duke e rritur pas shumë kohe pagën minimale, një qeverisje që ndarë shtesa për fëmijë, një qeverisje që ka mbështetur nënat dhe familjen, e sidomos gratë në punësim. Pra një qeveri që ka rritur ekonominë dhe ka mvështetur bizneset dhe qytetarët për një jetë më të mirë në vendin tonë. Me 9 Shkurt, së bashku me 500 mijë zemra, do t’ia vazhdojmë Kosovës cep më cep këtë rrugë prosperuese”, tha kandidatja Mulaj.
Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, kujtoi se qeveria Kurti e ka treguar dhe dëshmuar se është e mundur të krijohen politika që janë në interes të qytetarëve e jo të grupeve të caktuara.
“Sa herë që jemi bashkë dhe të vendosur, kemi arritur shumëçka. Andaj, edhe këtë 9 shkurt do të jemi bashkë për fitoren tonë të madhe. Për një qeveri të ndershme, të përgjegjshme dhe të gatshme të luftojë për interesat e qytetarëve të saj.”
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij, kujtoi një bashkëpunim të qeverisë me qytetarët e Klinës, që ndali një projekt të dëmshëm të Korporatës Devolli.
“Bilanci i qeverisjes matet me gjërat që kanë ndodhur, por qeverisja matet edhe me ngjarjet që nuk kanë ndodhur, me të këqijat që nuk kanë ndodhur e me të cilat ne krenohemi. Këtu në Klinë ne kemi bashkëpunuar për të parandaluar një krim të madh mjedisor – ndërtimin e fabrikës së çimentos. Katër mijë banorë, me plot të drejtë, e kanë kundërshtuar një projekt të tillë, sepse ndotja nga kjo fabrikë do të ishte e dëmshme për Klinën dhe për mbarë Dukagjinin. Fabrikën kishte ndërmend ta ndërtonte Korporata Devolli. Fabrika u parandalua falë banorëve që u ankuan te qeveria dhe falë qeverisë që u doli në ndihmë. Ky ishte një bashkëveprim i suksesshëm që kemi pasur. E Korporatës Devolli i themi edhe një herë: sa bëni këso manovra të gabuara, kthejani 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës, që ia keni marrë me arbitrazhe të kurdisura.”
“Klina është komunë e bekuar. Nëpër territorin e saj kalojnë shumë rrugë të rëndësishme rajonale që e lidhin perëndimin e Kosovës me lindjen dhe e përshkojnë lumenj që bashkohen në Drinin e Bardhë; ajo i ka edhe ujëvarat e Mirushës. E këtu në Klinë e kemi edhe lokalitetin arkeologjik të Dresnikut, ku janë zbuluar gjurmë të qytetit antik nga periudha romake. Ne i kemi shpronësuar parcelat duke e bërë atë pasuri publike shtetërore. Në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po e bëjmë planin e konservimit dhe të menaxhimit. Parku arkeologjik do të ketë hapësirën muzeale, qendrën e trajnimit dhe qendrën për vizitorë, sepse do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit kulturor e historik për Republikën tonë e për kombin shqiptar”, tha Kryeministri Kurti
“Ne në Vetëvendosje, bashkë me Guxo dhe Alternativa, themi ‘cep më cep’, ndërsa ata të tjerët thonë ‘aty ku kam qëlluar unë.’ ‘Cep më cep’ është 118. Më 9 shkurt të bëhemi 500 mijë zemra cep më cep Republikës së Kosovës, për fitoren e madhe, për festën tonë të përbashkët.”